Presidenti malazez zbulon se Franca dhe Gjermania do të jenë të përfshira direkt në dialogun Kosovë-Serbi

13:31 | 30 April 2019

Milo Gjukanoviq ka thënë se Franca dhe Gjermania do të jenë të përfshira direkt në dialogun Kosovë-Serbi.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka thënë se bisedimet në Berlin ndihmuan për të hapur rrugën për tejkalimin e bllokadës në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, Gjukanoviq ka theksuar se ky do të ishte një moment fatal për ta kapërcyer, siç ka thënë ai, problemin e lashtë të marrëdhënieve të ndërlikuara serbo-shqiptare.

Gjukanoviq mbrëmë, pas një takimi për Ballkanin Perëndimor, tha se u ra dakord që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të jetë nën patronazhin e Bashkimit Evropian, dhe se tani janë të përfshira direkt, edhe Franca e Gjermania.

“Kjo do të sigurojë një cilësi të mjaftueshme dhe intensitet të dialogut dhe të zbulojë nëse në muajt e ardhshëm, do të kemi potencial për të zgjidhur këtë çështje gjatë kësaj gjenerate”, citohet të ketë thënë presidenti malazez.

Duke folur për integrimet e rajonit në Bashkimin Evropian, Gjukanoviq ka shtuar se është e rëndësishme të përmbushen standardet, por në të njëjtën kohë që BE duhet të zgjidhë disa mosmarrëveshje në lidhje me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Komento: