Për t’iu bashkëngjitur pjesës tjetër të liderëve ballkaninë në përgatitjet për Samitin e Brdo-Brijunit, në Tiranë tashmë ka arritur edhe presidenti serb, Aleksander Vuҫiq.
Presidenti serb që paradite ka qëndruar në Romë për vizitë zyrtare, ka arritur në Shqipëri rreth orës 21:00, shkruan Gazeta Express.
Në Tiranë janë mbledhur liderë të tjerë ballkanikë dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Sonte ishte paraparë që ata të kenë një darkë joformale, e takimet vazhdojnë edhe nesër.
Mogherini sot e ka takuar fillinisht kryeministrin Edi Rama dhe me të kanë dalë në një konferncë për media. Të dy i janë përgjigjur kryeministrit Ramush Haradinaj për akuzat që ua ka bërë më parë.
Mogherini ka thënë se nuk ka qenë pjesë e asnjë komploti për ndarjen e Kosovës, ndërsa Rama ka pasur një përgjigje më të rëndë. “Sa pa dalë Facebook’u, budallain e ka njohur vetëm shtëpia e tij”, ka thënë kryeministri shqiptar.
Në Tiranë ka arritur edhe presidenti i Republikës Srpska, Millorad Dodik, i cili në një prononcim për media ka komentuar protestën e organizuar kundër ardhjes së tij dhe të presidentit serb.
Dodik thotë se atij nuk i bën përshtypje protesta e organizuar nga dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë dhe se aty ka shkuar për të përfaqësuar serbët e Bosnjës.
Ndërkaq samiti dyditorë në Tiranë ka për nikoqirë presidentin e Shqipërisë, Ilir Metën, presidenten kroate Kolinda Grabar – Kitaroviq dhe presidenti i Sllovenisë Borut Pahor.