Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vajton në OKB për taksën e Kosovës.
Vuçiq, ka folur për taksën prej 100 për qind, që Qeveria e Kosovës ka vënë ndaj mallrave nga vendi i tij, në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju-Jork, e cila është thirrur me kërkesë të Serbisë dhe Rusisë, pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës.
Vuçiq ka thënë se Kosova ka vendosur këtë taksë ndaj Serbisë “në kundërshtim me CEFTA’n dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”.
“Fillimisht ishte 10 për qind. Por, kur e panë që audienca shqiptare reagoi mirë ndaj asaj mase, e rritën atë tarifë në 100 për qind”, është shprehur ai në KS të OKB’së, raporton Gazeta Express.
“Kanë ndalur, kanë mbytur çdo lloj tregtie mes Serbisë dhe Kosovës”, ka deklaruar presidenti serb.
Vuçiq ka thënë se Qeveria e Kosovës “ka vënë në rrezik një komunitet të tërë serb në Kosovë, sepse tregtia është e vetmja mënyrë për ta për të fituar para, për të mbijetuar, për të marrë barna e ilaçe në spitalet e udhëhequra nga Serbia”.
Duke u paraqitur si viktimë, Vuçiq ka thënë se Kosova “ka shkelur, ka rrënuar marrëveshjet” që Bashkimi Evropian i ka ndërmjetësuar mes dy vendeve.
“Në shekullin 21, një vend ndalon, pengon rrjedhën e lirë të mallrave, sepse nuk i ka pëlqyer vendimi politik nga ana tjetër”, është shprehur ai.