Presidenti Thaҫi jep detaje rreth takimit me Vuҫiqin në SHBA

23:17 | 02 Mars 2020

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është takuar me presidentin serb, në SHBA.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka zhvilluar sot një takim me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Thaçi ka thënë se takimi në fjalë nënkupton kthesë dhe se do të sjellë risi.

“Rrugëtimi i Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran është i pandalshëm – është një proces që do të lëvizë përpara; mirëpo ne duhet t’i marrim përgjegjësitë që na takojnë dhe të vazhdojmë me procesin e konsolidimit të shtetit në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar”, tha Thaçi për Klan Kosovën.

“Por se si do të ecim përpara, do të varet shumë nga koordinimi me partnerët tanë – në veçanti me Shtetet e Bashkuara. Prandaj dua të besoj se ne do të prodhojmë në ditët e ardhshme argumente pozitive që ia lehtësojnë mbështetjen më të madhe SHBA’së karshi Kosovës”, shtoi ai.

“Takimi i Uashington nënkupton kthesë sepse për herë të parë kemi një takim të tillë në historikun e dy vendeve të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Uashington. Natyrisht se kjo do sjellë risi dhe vëmendje nga tërë opinioni publik vendor dhe ai ndërkombëtar, por edhe nga qendrat e tjera mbështetëse të këtij procesi”, tha presidenti.

Thaçi ka theksuar se Shtetet e Bashkuara po e bëjnë atë që të tjerët nuk kanë pasur aftësi, mundësi dhe potencial që ta bëjnë.

“Tani kur kemi dy udhëheqës të politikës së jashtme – njëri Borell nga Spanja që nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës dhe tjetri që pritet të ngarkohet nga Sllovakia; atëherë çfarë mund të presim nga Bashkimi Europian, përpos ndëshkimit që na e ka bërë me liberalizim të vizave”, theksoi ish-kryeministri.

“BE nuk ka aftësi, as unitet, as fuqi, as dije, as vizion e as lidership për ta shtyrë përpara këtë proces. Ne nuk mund të humbin kohë me burokracinë dhe mosunitetin europian – ne duhet të punojmë me ata që na kanë ndihmuar për ta fituar lirinë, pavarësinë dhe tani për të lëvizar drejt NATO-s, BE-së, por edhe anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe këtë mund ta bëjnë vetëm SHBA-të”, tha Thaçi.

“Takimi i Uashingtonit është mesazh i një rëndësie të veçantë për dy shtetet tona dhe popujt tanë, por theksoj se edhe për tërë Ballkanin Perëndimor për paqe dhe stabilitet, natyrisht se SHBA-të do të vazhdojnë të jenë të fokusuara dhe me agjentë të qartë”, theksoi ai.

Komento: