Presidenti Thaҫi paralajmëron ditë të mira për Kosovën

16:11 | 05 May 2019

I pari i vendit, Hashim Thaçi ka paralajmëruar ditë të mira për Kosovën.

Presidenti Hashim Thaçi ka pranuar se Kosova është duke u përballur me pengesa e vështirësi në zhvillimin e saj, mirëpo tha se është duke u bërë puna më e mirë e mundshme.

Ai u shpreh i bindur se për Kosovën tani e tutje do të ketë vetëm ditë të mira.

“Jam i bindur se shteti ynë është në rrugë të drejtë ka vështirësi, ka pengesa, kërkohet me bë edhe më shpejtë edhe më mirë punë, por askush nuk është i përkryer, por jemi dukë bërë punën më të mirë të mundshme. Prandaj, një gjë e tillë jam i sigurt do të ketë vetëm ditë më të mira dhe progres për shtetin e Kosovës në të gjitha rrafshet, edhe në konsolidimin e brendshëm edhe të afirmimit ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Këtë komente Thaçi i bëri në tubimin përkujtimor në nderim të 183 dëshmorëve të komunës së Pejës.

Në këtë tubim, kreu i shtetit, tha se vlera e UÇK-së është e paprekshme dhe vlerë që bashkon të gjithë qytetarët pa dallim.

“Edhe pse kaluan 20 vite çdo ditë e më tepër shihet se vlera e UÇK-së është vlerë e paprekshme, një vlerë që bashkon qytetarët pa dallim partie, ideologjie apo lokaliteti, është vlera më sublime dhe e shenjtë e kombit tonë, e shtetit tonë, është një vlerë që e fuqizon çdo ditë e më tepër shtetin tonë, prandaj ju familje të dëshmorëve, ju fëmijë të dëshmorëve të ndiheni krenar me prindërit tuaj, ne me bashkëluftëtarët që dhanë gjithçka që Kosova të jetë e lirë, të jetë e pavarur dhe të lëviz gradualisht drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”.

Presidenti është shprehur i bindur se të gjithë kryerësit e krimeve në Kosovë do të ballafaqohen me drejtësinë.

“Unë kam besim që parlamenti i Kosovës në një të ardhme të afërt do ta nxjerrë rezolutën për gjenocidin në Kosovë dhe gjithë kryerësit e krimeve do të ballafaqohen me drejtësinë”, përfundoi ai.

Komento: