Presidenti Thaçi e mohon se e solli Behgjet Pacollin me veturë nga Shqipëria

23:31 | 29 Prill 2020

Presidenti Thaçi mohoi se e solli Behgjet Pacollin me veturë nga Shqipëria.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se që nga çlirimi i Kosovës, nga Shqipëria në Kosovë ka hyrë në procedura të njëjta.

Thaçi ka reaguar pasi ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, tha se Presidenti i Kosovës mbrëmë ka kaluar kufirin për në Shqipëri dhe për këtë nuk është njoftuar Protokolli i shtetit.

Sveçla ka hedhur dyshime se presidenti Hashim Thaçi mund ta ketë futur mbrëmë deputetin Behgjet Pacollin në Kosovë, teksa ka deklaruar se nëse Thaçi e ka takuar Pacollin, edhe ai do t’i nënshtrohet karantinës ose vetizolimit.

“Nëse u intereson Sveçlës dhe Kurtit lokacioni im, unë jam në shtëpi. U bëj thirrje atyre të mos krijojnë konfuzion, shpifje dhe marrëzira dhe të mos kërcënojnë njerëz të politikës e as deputetë, e në këtë rast as zotin Pacolli”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi thotë se është “shpifje ordinere, kërcënim dhe shantazh” se Pacolli është futur me të në Kosovë.

Komento: