Presidenti Thaçi e quan pikë kthese për dialogun me Serbinë, takimi me Vuçiqin në Shtëpinë e Bardhë

10:49 | 04 Mars 2020

Hashim Thaçi ka folur për takimin me Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur përsëri për takimin që ka patur të hënën me homologun e tij serb, Aleksander Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë.

Thaçi ka thënë se Kosova është aktivisht e angazhuar për marrëveshje të përhëershme me Serbinë, e cila sipas tij përfshin njohje reciproke.

Presidenti ka shtuar se kjo mund të jetë pikë kthese pozitive që marrëveshja me Serbinë të arrihet në një të ardhme të afërt.

“Jemi të angazhuar për arritjen e marrëveshjes paqësore të përhershme me Serbinë. Kjo marrëveshje duhet të sjellë njohjen reciproke mes vendeve tona. Takimi i Uashingtonit dy ditë më parë mes dy presidentëve, besoj që do të jetë takimi i kthesës pozitive, që me udhëheqjen e Trumpit të arrihet marrëveshja në të ardhmen e afërt. Takimi në Uashington është inkurajues për të dy palët”, ka thënë Thaçi.

Sipas presidentit, Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë momentumin e angazhimit aktiv të SHBA-ve në dialog.

“Prandaj, këtë momentum dhe këtë mundësi nga Uashingtoni duhet ta shfrytëzojë edhe Kosova edhe Serbia. Gjithashtu dëshiroj të theksoj se është e një rëndësie jetike që të dy palët, edhe Kosova edhe Serbia kanë besim në lidershipin e SHBA-së se me ndërmjetësimin e tyre mund të arrihet marrëveshja përfundimtare”, ka shtuar.

Thaçi në fund tha se është i indinjuar edhe me drejtësinë ndërkombëtare, e cila sipas tij nuk ka arritur ta dënojë gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë.

“Janë bërë më tepër se dy dekada që nga përfundimi i luftës dhe nuk mund të mbetemi peng i luftës dhe armiqësive. Nuk mund të kalojë pa e shprehur indinjatën me drejtësinë ndërkombëtare që ka dështuar të dënojë gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë”, tha ai.

Komento: