Presidenti Thaçi fajëson institucionet e Kosovës për dështimin e Samitit të Parisit

15:22 | 22 June 2019

Se Samiti i Parisit nuk do të mbahet e ka konfirmuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi ka thënë se deri te kjo ka ardhur si pasojë e veprimeve dhe vendimeve të nxituara të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Duke aluduar në takimin e fshehtë që u zhvillua në Berlin nga njerëzit e kryeministrit Haradinaj, presidenti u shpreh se këto veprime e kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën.

Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë të Thaçit në facebook:

Dje dhe sot nga partnerët evropianë u informova se pas përpjekjeve të shumta për sukses, Samiti i Parisit, si vazhdim i atij në Berlin, definitivisht nuk do të mbahet. Ishte planifikuar vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi, i udhëhequr nga BE-ja, me mbështetjen unike dhe të fortë francezo-gjermane.

Vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën. Si rrjedhojë, partnerët tanë ndërkombëtarë, fatkeqësisht sot e mbajnë Kosovën përgjegjëse për bllokimin e dialogut, për dështimin e takimit të paraparë në Paris dhe për prolongimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë.

Dështimi i procesit të filluar në Berlin dhe anulimi i Samitit të Parisit, duhet të jetë moment reflektimi për akterët vendorë dhe faktorët ndërkombëtarë udhëheqës dhe mbështetës të procesit të dialogut për normalizim dhe pajtim mes shteteve dhe popujve tanë. Ngërçi në dialog dhe anulimi i Samitit të Parisit për të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë, shënon hap prapa për të ardhmen evropiane. Prandaj, i bëj thirrje BE-së dhe SHBA-së që të mos i ndalin përpjekjet e tyre për rifillimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes paqësore. HTH

Komento: