Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehu shqetësimin për mundësinë e frikësimit të votuesve serbë në veri të Kosovës, dhe i kërkoi misionit monitorues të Bashkimit Evropian që të jetë i pranishëm në atë pjesë të Kosovës gjatë procesit të votimeve më 6 tetor.
Ai u takua më 4 tetor me një delegacion të këtij misioni, të kryesuar nga eurodeputetja, Viola von Cramon-Taubadel.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 6 tetor. Përveç organizatave lokale, ato do të monitorohen edhe nga misioni i Bashkimit Evropian.
Fushata parazgjedhore në veri të Kosovës, sipas vlerësimeve të vëzhguesve dhe qytetarëve, kryesisht ka qenë e qetë dhe identifikohet vetëm me aktivitetet e Listës Serbe. Megjithatë, ditë më parë, subjektet politike serbe kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella për shantazh ndaj votuesve dhe se ndaj tyre po bëhet presion.
Nga Prokuroria në Mitrovicën Veriore kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë që nuk ka pasur raste të denoncuara gjatë fushatës.