Presidenti Thaçi pro ndërtimit të Xhamisë së Madhe: Askush të mos ndihet i fyer

14:38 | 22 Korrik 2020

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka komentuar për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Thaçi tha se “Kosova është shembulli më i mirë, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për tolerancën dhe bashkëjetesën e shkëlqyer ndërfetare, shekuj me radhë”.

Ai shtoi se askush nuk duhet të ndjehet i fyer e i anashkaluar mbi baza fetare.

“Ndjehem mirë dhe krenar, që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve të krishterë dhe me Presidentin Rugova kemi vënë gurthemelin e Katedrales në Prishtinë. Po ashtu, ndjehem mirë dhe krenar, që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve myslimanë dhe me Presidenten Jahjaga e vumë edhe gurthemelin e Xhamisë në Prishtinë.

Kosova është shembulli më i mirë, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për tolerancën dhe bashkëjetesën e shkëlqyer ndërfetare, shekuj me radhë.

Askush nuk ka asnjë arsye që të ndjehet i fyer, i anashkaluar apo i privilegjuar mbi baza fetare në shtetin tonë modern.

Protesta dhe shprehja e pakënaqësisë janë vlera demokratike në shoqërinë tonë, por ato asnjëherë nuk duhet të shërbejnë për nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj! HTH”, tha ai.

Komento: