
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur që të shtyhen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut.
Zgjedhjet në veri janë për shkak se kryetari i deri tashëm i Mitrovicës veriore, Goran Rakiq, është emëruar zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal në Qevverinë Hoti.
“Me qëllim të parandalimit të përhapjes së coronavirusit-COVID-19 dhe parandalimit të rritjes së numrit të personave të infektuar në Republikën e Kosovës, si dhe ruajtjes së shëndetit publik, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, pas dorëheqjes së kryetarit të kësaj komune, shtyhen për një afat të pacaktuar”, thuhet në vendimin e presidentit.
Rakiq është zgjedhur kryetar i Mitrovicës së Veriut në zgjedhjet e jashtëzakonshme në maj të vitit të kaluar.
Këto zgjedhje kanë pasuar dorëheqjet e kryetarëve të këtyre komunave, më 26 nëntor të vitit të kaluar, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës.
Fat të njëjtë si Mitrovica e Veriut kishte edhe Podujeva. Kryetari i kësaj komune, Agim Veliu ishte zgjedhur më 3 shkurt të këtij viti, ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë nuk janë mbajtur ende, për shkak të pandemisë COVID-19.