Kreu i shtetit Hashim Thaçi, ka thënë se PDK e inicioi dhe fuqizoi taksën,përderisa kryeministri Ramush Haradinaj veç e votoi.
Thaçi, ka thënë se iniciues i vendosjes së taksës ka qenë zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj si dhe fuqizues në 100 përqind ka qenë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.
“Iniciativa për vendosjen e taksës prej 10 për qind nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka qenë një inciativë e një rrjedhoje interesante e zhvillimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Por pastaj edhe fuqizimi i taksës me propozimin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, në 100 për qind gjithashtu ka qenë rezultat i evoluimit të zhvillimeve dështimit të Kosovës në INTERPOL”.
“Prandaj mendoj që edhe iniciuesi Hoxhaj dhe fuqizuesi i taksës nga 10 në 100 për qind, Veseli, do të jenë ata që do të diskutojnë bashkërisht me partnerët e tjerë të koalicionit, me bartësit e institucioneve në mënyrë që duke ndryshuar rrethanat, duke ndryshuar zhvillimet pas shkuarjes së Ekipit Negociator në dialog të krijimit të një hapësire ku Kosova nuk shihet si një problem për vazhdimin e dialogut nga ndërkombëtarët”.
“Hoxhaj e ka iniciuar, Veseli e ka fuqizuar në 100 për qind, ndërsa Qeveria e ka votuar. Për këtë çështje nuk kam diskutuar me Haradinajn sepse ai nuk ka qenë i involvuar. Haradinaj dhe të tjerët kanë votuar në Qeveri”.
Thaçi në Info Magazine ka thënë se beson në Kadri Veselin dhe Enver Hoxhajn për vendimet dhe filozofinë e tyre shtetformuese.
“Unë e kam dhënë opinionin tim Hoxhajt dhe Veselit sa i përket këtyre zhvillimeve dhe e kemi diskutuar shumë seriozisht në javët e kaluara”.
“Unë besoj në filozofinë shtetformuese të Veselit dhe Hoxhaj si dhe e vlerësoj pjekurinë tyre”.