Presidenti Thaçi tregon se a e mbështet vizitën e Hotit në Bruksel

18:39 | 23 Qershor 2020

Hashim Thaçi ka treguar se a e mbështet vizitën e Hotit në Bruksel.

Presidenti i shtetit, Hashim Thaçi ka thënë se nuk sheh rivalitet në mes të Uashingtonit dhe Brukselit, si ndërmjetësues të dialogut.

“Për ne është jetike që të ndodhë koordinimi Uashington-Bruksel, unë nuk shoh rivalitet në mes tyre. Në anën tjetër takimi Uashingtonit ia ka hapur sytë shumë kujt që ta kuptonim se kjo problematikë kërkon zgjidhje. BE është e hendikepuar në këto ngjarje sepse nuk e kanë marrë ende vendimin për liberalizim që është ende ndëshkim dhe izolim i panevojshëm”, ka thënë Thaçi.

Presidenti thotë se vizita e kryeministrit Avdullah Hoti në Bruksel është mesazh i mirë, e se ai do të flasë aty për çështjen e vizave.

“Vizita e kryeministrit në Bruksel mendoj se është një mesazh i mirë, ne kemi diskutuar sot, kryeministri do të ngritë çështjen e liberalizimit të vizave, prandaj çdo vizitë e çdo zyrtari të Kosovës në Bruksel apo Uashington është shumë i mirëseardhur. Unë nuk e kam pasur në agjendë vizitën në Bruksel, fokusi im ka qenë Uashingtoni, po e vlerësoj hapin e kryeministrit që të ketë si stacion edhe Brukselin. Takimi i Uashingtonit jep dinamikë, takimi që do të ndodhë në Paris do të jetë një mundësi e re evropiane për të shtyrë gjërat përpara”, thotë ai.

I pari i shtetit thotë se ideale do të ishte që marrëveshja Kosovë – Serbi të ndodhë brenda këtij viti.

“Ideale do të ishte që marrëveshja të ndodhë këtë vit, nuk do të jetë fare e lehtë, kemi një angazhim çfarë nuk ka ndodhur më herët nga Uashingtoni dhe BE’ja. Ambasadori Grenell e tha shumë të qartë, arrijmë marrëveshje apo kthehemi në status quo, që do të thotë regres. Do të ishte në interesin e dy vendeve, do të ishte mundësia më e mirë, por, se kur do të mund të ndodhë nuk mund të flasë me ditë javë apo muaj. Edhe ajo mund të ndodhë, nuk jam pejgamber me ditë se kur ndodhë, do të angazhohemi që të ndodhë më herët, një konflikt mbi një shekullor nuk zgjidhet aq lehtë”, ka thënë Thaçi.

Komento: