Presidenti Thaçit tha se Asociacioni ka ‘vdekur’, BE-ja ka një përgjigje për të

16:19 | 16 June 2019

Bashkimi Evropian i është përgjigjur Hashim Thaҫit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fund të muajit maj në një televizion kosovar ka deklaruar se në asnjë rrethanë nuk do të lejojë themelimin e kurrfarë Asociacioni të Komunave me Shumicë serbe.

Sipas tij, për të implementuar një marrëveshje të tillë, Kosovës i ishte premtuar njohja e pavarësisë nga Serbia, e meqenëse diçka e tillë nuk ka ndodhur, atëherë puna e Asociacionit ‘është e vdekur’.

“Në asnjë rrethanë, nuk do të lejojmë as Asociacion as ekzekutiv, as kurrfarë ..zero. Ka qenë kohë ndryshe kur ka ndodhë, është premtuar njohja, s’ka ndodhur, le ta harrojnë, ajo punë është e vdekur”, kishte deklaruar Thaçi në tv Dukagjin më 30 maj.

Lidhur me këtë qëndrim të presidentit të Kosovës, zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë bëjnë thirrje që të implementohen të gjitha marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“BE-ja vazhdon të bëjë thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Nga kjo zyrë thonë se në raportet e publikuara më 29 maj, është dhënë një vlerësim shumë i detajuar për detyrimet që kanë Prishtina dhe Beogradi, që janë si produkt i marrëveshjeve të arritura përgjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.

“Raportet vjetore për shtete, të publikuara më 29 maj, ofrojnë vlerësim të qartë për detyrimet e Beogradit dhe Prishtinës, që dalin nga marrëveshjet e arritura gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, potencon zyra e BE-së në Kosovë.

Përveç kësaj ata bëjnë thirrje që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje për normalizim të raporteve.

“ Be-ja vazhdon të bëjë thirrje për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Lidhur më këtë qëndrim të presidentit ka reaguar ditë më parë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, të cilët thonë se SHBA-të mbështesin plotësimin e obligimeve të marra në dialogun e Brukselit, përfshirë këtu edhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin implementimin e plotë të gjithë obligimeve që janë marrë në dialogun e Brukselit. Kjo përfshinë edhe obligimet që kanë të bëjnë me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumice serbe”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Beograd të lëshuar me 31 maj.

Përveç SHBA-së, implementimin e marrëveshjeve dhe obligimeve të marra nga Brukseli, e kërkon edhe Gjermania e kancelares Angela Merkel.

Me shumë gjasë një gjë e tillë do të diskutohet në Samitin e Parisit. Një gjë të tillë e kishte paralajmëruar deputeti gjerman i CDU-së, Johann Ëadephul, pas Samitit të Berlinit, duke thënë se tashmë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë plotësisht duket diskutuar aspekte teknike siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, duke treguar se ideja për korrigjim të kufijve kishte ‘vdekur’ në Berlin.

“Këto negociata kanë qenë krejtësisht të vdekura për muaj të tërë si pasojë e diskutimeve të panevojshme për shkëmbime territoresh. Por tani, megjithatë, tema konkrete duhet të diskutohen sërish – siç janë Asociacioni i komunave serbe, furnizimi me energji elektrike i Kosovës, mbrojtja e monumenteve kulturore, njohja e diplomave, të drejtat e personave të zhvendosur, por edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare – përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”, kishte thënë ai pas përfundimit të Samitit të Berlinit.

Komento: