Presidenti ‘zbut’ situatën, bën thirrje për bashkim – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Presidenti ‘zbut’ situatën, bën thirrje për bashkim

18:40 | 27 Janar 2019

Presidenti i vendit, Hashim Thaci ka bërë një postim në lidhje me taksën e vendosur ndaj produkteve serbe dhe ka potencuar që “vetëm të bashkuar dhe të përkrahur nga Amerika” mund t’i arrijmë qëllimet tona shtetëore.

“Në ditët dhe javët në vazhdim, institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin veprime dhe vendime në interes shtetëror dhe të forcimit të partneritetit me aleatët tanë ndërkombëtarë. Të gjitha institucionet shtetërore janë në shërbim të mbrojtjes, avancimit dhe arritjes së qëllimeve tona strategjike shtetërore”, ka shkruar ai.

Presidenti ka thënë se vetëm të bashkuar dhe të përkrahur nga Amerika mund të shkojnë më tutje në dialog dhe marrëveshje paqësore me Serbinë.

“Dialogu dhe marrëveshja eventuale paqësore vetëm sa e përshpejtojnë realizimin e synimeve tona për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB. Këto synime janë të arritshme, për aq kohë sa jemi të bashkuar, pozitë, opozitë dhe shoqëri civile, flasim fuqishëm njëzëri dhe kemi mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, respektivisht mbështetjen e SHBA-së”, ka shtuar ai.

Në postimin e mëhershëm, Thaçi e ka pyetur përmes një statusi në FB Kryeministrin Ramush Haradinajn nëse po shkrihet bora apo po bëhet skllotë, duke iu referuar deklaratave të Shefit të Qeverisë për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe të kërkuara nga SHBA-ja.

“Bora ka zënë të shkrihet shpejt… Uroj të mos bëhet skllotë!”, ka shkruar Thaçi në Fb.
Haradinaj para disa ditësh kur ishte përgjigjur se kur do të hiqet taksa kishte thënë se “bora do të shkrihet dikur”.

“E mirëpres takimin, është propozim i kreut të Kuvendit Kadri Veseli. Ka me u shkri bora dikur”, kishte deklaruar Haradinaj.

Presidenti i Kosovës edhe më herët kishte kërkuar të hiqet taksa ndaj produkteve serbe e boshnjake pas kërkesës së SHBA-së.

Ambasada e Amerikës në Kosovë edhe javën e kaluar ridërgoi një qëndrim drejt Qeverisë për t’u hequr taksa. Paralajmëroi pasoja për ata që nuk përfillin kërkesën e tyre.

Ramush Haradinaj u përgjigj duke thënë se taksa nuk është kundër Amerikës por kundër Serbisë e Rusisë.

Komento: