Presidentja e Komisionit Evropian paralajmëron ardhjen e vaksinës anti-COVID në Kosovë

18:44 | 27 Mars 2021

Presidentja e KE-së paralajmëron ardhjen e vaksinës anti-COVID në Kosovë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dhënë lajm pozitiv për vaksinat kundër coronavirusit.

Në një shkrim në Twitter thotë se ka diskutuar me kryeministrin Albin Kurti për shpërndarjen e vaksinave anti-COVID në Kosovë.

Tutje ka theksuar se Komisioni Evropian do financojë procesin e vaksinimit për punonjësit shëndetësor dhe njerëzit më në nevojë.

“Së bashku do ta tejkalojmë pandeminë”, ka shkruar Leyen.

Lyen ka deklaruar së fundmi se Evropa do t’i ndihmojë Ballkanit Perëndimor për vaksinimin anti-COVID me 650.000 doza të “Pfizerit”.

Shtetet e rajonit tashmë kanë nisur fushatën e vaksinimit kundër coronavirusit, vetëm Kosova ende nuk ka siguruar asnjë vaksinë kundër virusit COVID-19.

Më herët, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se në Kosovë gjatë marsit do të arrijë kontingjenti i parë me vaksina të kompanisë britanike, AstraZeneca.

Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave që Kosova do të marrë falas përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, njofton Telegrafi.

Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi të shtunën, se në Kosovë 11 persona kanë vdekur pas infektimit me coronavirus.

Sipas raportit ditor, nga 4.371 mostra të testuara, janë regjistruar edhe 873 raste të reja me COVID-19.

Kjo shifër paraqet numrin më të lartë të infektimeve ditore, të regjistruara më 2021.

Që prej 13 marsit 2020, e deri më 27 mars, 2021, Kosova ka regjistruar 87.067 raste me coronavirus.

Prej tyre, 1.830 raste kanë përfunduar me fatalitet, ndërkaq, 71.813 persona janë shëruar. Raste aktive janë 13.424.

Komento: