Presidentja e Komisionit Evropian paralajmëron fillim të vaksinimit në BE para Vitit të Ri

16:18 | 15 December 2020

Von der Leyen paralajmëron fillim të vaksinimit në BE para Vitit të Ri.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se shtetet e Bashkimit Evropian mund ta fillojnë vaksinimin e popullsisë me vaksinën kundër koronavirusit brenda këtij viti.

Deklarata e saj erdhi pas vendimit të Agjencisë Evropiane të Ilaçeve për ta afruar datën e miratimit të mundshëm të vaksinës së kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech” për tetë ditë, nga 29 dhjetori më 21 dhjetor.

Pas miratimit të mundshëm të kësaj vaksine nga rregullatori evropian, Komisioni Evropian pritet që formalisht brenda tri ditësh ta miratojë përdorimin e vaksinës së Pfizer-it, pas konsultimeve mes qeverive të 27 vendeve anëtare.

Vendimi i Komisionit Evropian për miratimin e produkteve mjekësore zakonisht është në përputhje me rekomandimet e Agjencisë Evropiane të Ilaçeve. Nëse kjo agjenci jep rekomandim pozitiv, roli i Komisionit Evropian pritet të jetë vetëm formalitet.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian mund ta fillojnë procesin e vaksinimit menjëherë pas dhënies së miratimit nga Komisioni Evropian, shkruan The Guardian.

Komento: