
Në kuadër të shënimit të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive për këtë ngjarje tragjike dhe ka njoftuar se më 11 korrik do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore dhe varrimin kolektiv në Potoçari.
“Srebrenica nuk është vetëm një kujtim i dhimbshëm – ajo është një përgjegjësi morale. Paqja, toleranca dhe dinjiteti njerëzor nuk janë të vetëkuptueshme. Ato duhet të ndërtohen dhe mbrohen përditë”, u shpreh Pirc Musar pas takimit në Lubjanë me përfaqësuesit e Shoqatës së Nënave të Srebrenicës dhe Zhepës, si dhe të Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit.
Takimi u organizua për të nderuar 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, krimi më i rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe për të theksuar domosdoshmërinë e kujtesës dhe drejtësisë si garanci që një tragjedi e tillë të mos përsëritet kurrë.
Presidentja sllovene vlerësoi lart “Nënat e Srebrenicës”, duke i përshkruar si simbol i qëndresës dhe i betejës së pandërprerë për të vërtetën dhe drejtësinë. “Zëri i tyre është një thirrje për njerëzi, dhembshuri dhe përgjegjësi,” tha ajo.
Duke bërë paralele me konfliktet aktuale, Pirc Musar shtoi: “Mes dhunës së tmerrshme që po zhvillohet aktualisht në Gaza, mes shkatërrimit të jetëve, familjeve dhe kombeve, zëri i viktimave të Srebrenicës është edhe më i rëndësishëm. Në këtë mision më keni përkrahëse të palëkundur.”
Ajo kujtoi se Sllovenia ka qenë aktive në promovimin dhe miratimin e rezolutës për caktimin e 11 korrikut si Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, përmes rolit të saj si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Përkrahja jonë është në anën e së vërtetës dhe të viktimave. Relativizimi i gjenocidit është i papranueshëm”, nënvizoi ajo.
Aktivitetet përkujtimore në Lubjanë po zhvillohen në Qendrën Islame përmes ekspozitave, diskutimeve dhe eventeve publike, duke sjellë në vëmendje përmasat e krimeve të kryera në korrikun e vitit 1995.
Deri më sot, në Memorialin e Potoçarit janë varrosur 6.765 viktima të gjenocidit, ndërsa mbi 250 të tjera janë varrosur në vendlindjet e tyre, sipas dëshirës së familjarëve. Viktimat vinin kryesisht nga Srebrenica, Bratunac, Vlasenica, Zvornik dhe Miliq.
Më e vogla ndër viktimat e varrosura ishte foshnja Fatima Muhiq, ndërsa më e moshuara ishte nëna Shaha Izmirliq, e lindur në vitin 1901. Deri më sot, mbi 1.000 viktima të gjenocidit ende konsiderohen të zhdukura.
Presidentja Pirc Musar përfundoi me një mesazh të qartë: “Srebrenica na thërret të mos harrojmë – na thërret për përgjegjësi, drejtësi dhe ndërgjegje.”