Presidentja gjatë vizitës në Tuz: Do të ofrojmë mbështetje dhe përkrahje për mbrojtje të identitetit shqiptar në Mal të Zi

11:05 | 08 Shkurt 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me kryetarin e Tuzit, Nik Gjeloshaj, tha se shqiptarët në Mal të Zi kanë luajtur rol vendimtar për pavarësinë e Malit të Zi, si dhe shtet ndërtimit të tij.

“Sot komuniteti shqiptar në Mal të Zi, vazhdon të jetë faktor i rëndësishëm në shtyrjen përpara të shtetit të Malit të Zi, në rrugën evropiane, Kosova ndan të njëjtin synim”, tha ajo.

Presidentja Osmani premtoi mbështetje dhe përkrahjen për mbrojtje të identitetit shqiptar në Mal të Zi.

Ajo ka folur edhe për investimet kosovare në Mal të Zi.

“Jam shumë krenare edhe me investimet që bizneset e Kosovës po bëjnë këtu”, theksoi ajo.

E para e vendit tha se Kosova do të mbështes shqiptarët që jetojnë në të gjitha trevat, si në Maqedoni të Veriut dhe Luginë të Preshevës.

Kurse kryetari i Tuzit Nik Gjeloshaj tha se janë të nderuar dhe të emocionuar për këtë vizitë sepse të gjithë shqiptarët në Mal të Zi janë shumë të lidhur me Kosovën.

“Bashkë biseduam për bashkëpunimin institucional të komunës së Tuzit me shtetin e Kosovës”, tha ai.

Pas takimit me Kryetarin e Tuzit Nik Gjeloshaj Osmani kanë vizituar një nga bizneset e suksesshme të kësaj komune, i cili njëherit është edhe investimi më i madh nga Kosova.

Komento: