Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ku kanë diskutuar për shpalljen dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së zyrtarëve të zgjedhur nga katër komunat në veri të vendit si dhe për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr.
Sipas një komunikate për media të Presidencës, në këtë takim, Presidentja Osmani ka theksuar se janë duke u ndërmarrë hapat e nevojshëm për shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Ajo tha se së shpejti subjektet politike do të ftohen për konsultime përpara se të caktohet data e zgjedhjeve, brenda afatit ligjor.
“Presidentja u informua nga z. Radoniqi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve posedon kapacitetet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit”, thuhet tutje në komunikatë.