Presidentja Vjosa Osmani ka filluar të bëhet gati për festat e fundvitit. Zyra e saj tashmë ka shpallur tenderin për furnizim me dhurata për fëmijët e SOS Fshatit, Down Syndrome Kosova, fëmijët me autizëm, shtëpitë e të moshuarve, strehimoret për mbrojtje të grave dhe fëmijëve, si dhe ambasadorët e diplomatët në vend.
Në total parashihet furnizimi me rreth 1 mijë e 700 pako dhuratash, që parashihet të kushtojnë 20 mijë euro, raporton Express.
Për të moshuarit, Presidenca ka kërkuar të furnizohet me 200 pako dhuratash. Këto pako do të përmbajnë pije vendore pa sheqer, çokollatë (prodhim vendor), gotë çaji me motive festive, lugë druri, mjaltë 250 ml, dekor festiv me motive fundviti, reqel prodhim vendor dhe një kartolinë urimi, që duhet të ketë llogo të presidencës dhe do të bëhet me dizajn të veçantë sipas protokollit zyrtar.
800 pako me dhurata të tjera, Presidenca i ka kërkuar për fëmijët 0-6 vjeç, e të cilat duhet të përmbajnë: kapele festive nga mëndafshi, çokollatë me figurë babadimri, dekor festiv, popkek dhe biskota, si dhe kartolinë urimi me llogon e Presidencës.
400 pako të tjera me përmbajtje të njëjtë, janë kërkuar për fëmijët e moshës 7-16 vjeç.
Sipas dosjes së tenderit, për gratë janë kërkuar 150 pako. Këto pako do të përmbajnë: shall dimëror, çokollatë prodhim vendor, lëng vendor, biskota vendore, mjaltë, lajthi, badem, arra, reqel prodhim vendor dhe kartolinë urimi me llogo të presidencës.
Me këtë tender është paraparë edhe furnizimi me verëra vendore dhe kuti dekoruese druri, derisa janë dhënë edhe specifika se di duhet të jenë këto pako. Presidenca ka kërkuar të furnizohet me 100 të tilla.
Në fund të dosjes, renditen dhuratat për ambasadorët dhe diplomatët e ndryshëm.
Presidenca ka paraparë të furnizohet me 70 pako të tilla, që do të përmbajnë: verë të kuqe vendore, copë djathi i stagjionuar vendor, lajthi, badem dhe arra, qaj vendor, ajvar vendor dhe është kërkuar të vendosen në një kuti elegante me dekor festiv.
Për dhuratat për secilën kategori, ZPRK’ja ka kërkuar mostër, që duhet të dorëzohen deri me 6 dhjetor në Presidencë.
Afati i fundit për dorëzim të ofertave është 6 dhjetori, kur edhe do të mbahet takimi për hapjen e tenderëve.
“Pasi që jemi në prag të festive të fund vitit dhe në mënyrë që të shfrytzojmë kohën e mbetur me qëllim të lidhje së kontartës dhe realizimit të saj në kohën e duhur”, thuhet në dosje