Presidentja Osmani: Çështja e kufirit Kosovë-Mali i Zi, për mua është e mbyllur

22:29 | 08 Shkurt 2023

Osmani: Çështja e kufirit Kosovë-Mali i Zi, për mua është e mbyllur.

Çështja e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, sa i përket presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë është temë e mbyllur. Kështu deklaroi Osmani, në një intervistë për televizionin “Vijesti”. Gjatë qëndrimit në shtetin fqinj, presidentja Osmani u prit nga nivelet më të larta shtetërore.

“Konkretisht, sa i përket kufijve, për mua ajo çështje ka përfunduar në parlament para disa vitesh, kur ajo marrëveshje është ratifikuar mes Malit të Zi dhe Kosovës. Pastaj është një marrëveshje dypalëshe mes presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi, një lloj deklarate në të cilën theksohen hapat e ardhshëm”.

Sipas presidentes Osmani, deklarata e nënshkruar mes dy presidentëve parashikon ndër të tjera se do të formohet një komision i ri teknik me ekspertë nga të dyja palët për t’u ulur dhe për të trajtuar çdo çështje të hapur.

“Pra, unë personalisht nuk jam kundër që një komision teknik të ulet dhe ta shikojë këtë nga pikëpamja e ekspertëve, por jo nga pikëpamja politike. Si përfundim, unë nuk shoh se ka ndonjë çështje të hapur politike ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe nuk e shoh këtë si një çështje të hapur që do të dëmtonte disi marrëdhëniet tona”.

Presidentja Osmani deklaroi se këtë para së gjithash, e shikon si një çështje ekspertize dhe një çështje që duhet të zgjidhet midis ekspertëve në komisionin teknik, siç parashikohet nga Deklarata e dy presidentëve, e cila u nënshkrua në 2015 dhe e cila, natyrisht, mund të zbatohet pa dëmtuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Pra, sigurisht që ka shumë njerëz që dëshirojnë ta shohin këtë si shkak të marrëdhënieve të këqija mes Malit të Zi dhe Kosovës, por ne nuk duhet t’ua plotësojmë këtë dëshirë”.

Në këtë intervistë, Osmani tha se avokon që malazezët të njihen si pakicë në Kushtetutën e Kosovës, por sipas saj, kjo varet nga procedurat e ndërlikuara kushtetuese.

“ Unë jam absolutisht në favor të saj dhe patjetër që e mbështes këtë ide dhe e kam mbështetur gjithmonë. Mirëpo, kompleksiteti i kësaj çështje nuk lidhej asnjëherë me mungesën e vullnetit të qeverive të mëparshme dhe katër parlamenteve”, ka deklaruar Osmani.

Sipas saj, kompleksiteti qëndron te procedurat kushtetuese, mënyra e ndarjes së mandateve në parlament.

“Sa vende do të marrin disa komunitete është një dispozitë kushtetuese që do të kërkonte një amendament dhe që ai amendament të miratohet, duhet të ketë jo vetëm dy të tretat në parlament, por edhe dy të tretat nga komunitetet pakicë, e cila do të votojë pro, që do të thotë se komuniteti serb ka pasur të drejtën e votës dhe nuk kam parë një vullnet të tillë nga ana e tyre për të votuar për atë amendament kushtetues”.

“E përsëris, nuk bëhet fjalë për mungesën e vullnetit tonë, por për dispozita dhe procedura shumë komplekse kushtetuese”.

Osmani po ashtu tha se për të është e pranueshme plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si platformë e mirë për vazhdimin e negociatave dhe se tani mbetet të shihet nëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do ta pranojë atë.

Komento: