Presidentja Osmani e dekoron gazetarin e ndjerë Sulejman Gashi me medaljen Presidenciale të Meritave

14:52 | 05 Gusht 2022

Osmani e dekoron gazetarin e ndjerë Sulejman Gashi me medaljen Presidenciale të Meritave.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar sot familjes së gazetarit të ndjerë Sulejman Gashi, Medaljen Presidenciale të Meritave.

Në ceremoninë e organizuar sot, në prani të familjarëve dhe të miqve, Osmani theksoi se medalja e ndarë për gazetarin tashmë të ndjerë është shprehje e “mirënjohjes shtetërore për kontributin e çmuar të cilin Gashi, si gazetar e aktivist shumëvjeçar e ka dhënë për dhjetëvjetësha të tërë për shpërndarjen gjithandej të së vërtetës së Kosovës”.

Presidentja tha se Gashi ka qenë burim i së vërtetës për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një afirmues i së drejtës së saj për liri.

“Ai ishte zëri i Kosovës. Ne sot po e institucionalizojmë kujtesën për të duke e dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin shumëvjeçar në pasqyrimin e së vërtetës së Kosovës e për të në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Familjarët e Gashit u shprehën falënderues për këtë dekoratë.

Komento: