Presidentja Osmani e quan Putinin “kasap” të demokracisë: Vuçiq e tregoi se qëndron pro tij

18:27 | 08 Mars 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar sot presidentin rus, Vladimir Putin, për situatën e krijuar në Ukrainë, duke e quajtur edhe “kasap të demokracisë”.

Ajo ka akuzuar Putinin për “përpjekje për të kryer gjenocid në Ukrainë”.

Këto deklarata, Osmani i ka bërë në një intervistë të dhënë për median britanike, Huffington Post, ku ka thënë se deklaratat e Putin për “denazifikimin” e fqinjit të tij tregonin “një synim për të shkatërruar tërësisht ose pjesërisht popullin e Ukrainës”.

Ajo ka thënë se ky konflikt i ka sjellë asaj edhe kujtime personale nga lufta në Kosovë në vitet e ’90-ta.

“Është absolutisht shkatërruese për të gjithë njerëzit e Kosovës të shohin këto imazhe, të cilat për ne sjellin shumë kujtime personale… Ajo që ne shohim në Ukrainë është shumë e ngjashme – gra që përdhunohen, civilë po vriten, fëmijë të vegjël po ashtu vriten, njerëz të detyruar të lënë shtëpitë e tyre – është absolutisht e dhimbshme. Kanë kaluar 20 vite, por kujtimet për ne janë shumë, shumë të freskëta”, tha ajo.

Tutje, Osmani ka deklaruar se ajo beson që Ukraina tani ishte gjithashtu viktimë e një “regjimi brutal gjenocidal”, të ngjashëm me atë që kishte në shënjestër Kosovën në fund të viteve të ’90-ta, gjë që kishte detyruar NATO-n të niste një fushatë bombardimesh pasi që përpjekjet diplomatike për të vendosur paqen, dështuan.

“Qëllimi këtu është i qartë dhe qëllimi është elementi kryesor i gjenocidit. Unë besoj se tashmë ka shumë prova që gjykatat ndërkombëtare do të përdornin kundër Putinit dhe kundër qeverisë ruse për krimet që po kryejnë kundër Ukrainës. Kam besim se këto krime nuk do të mbeten pa u ndëshkuar. Fatkeqësisht, në rastin e ish-Jugosllavisë, ato kanë mbetur pa u ndëshkuar. Plagët janë ende absolutisht të hapura”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, Osmani ka thënë se ka qenë inkurajuese për të parë përgjigjen e unifikuar të Perëndimit, të cilët dënuan pushtimin e Ukrainës nga Rusia, por tha se kishte më shumë për të bërë si në aspektin e sanksioneve ekonomike, ashtu edhe kur bëhet fjalë për politikën e dyerve të hapura për refugjatët ukrainas.

“Ne e kemi kaluar këtë, ne vetë kemi qenë refugjatë dhe e kuptojmë se sa e rëndësishme ishte të shpëtonim jetën tonë që vendet në mbarë botën i mbajtën dyert e tyre të hapura për ne. Kemi kaluar nëpër ferr’’, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka folur edhe për presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për të cilin ka thënë se është një shembull për të gjithë botën.

”Populli i Kosovës rroku armët për të mbrojtur veten, për të mbrojtur lirinë tonë dhe për të arritur përfundimisht pavarësinë dhe lirinë që gëzojmë sot. Pra, ne e kuptojmë shumë popullin e Ukrainës dhe faktin se ata nuk do të dorëzoheshin kurrë në asnjë rrethanë”, tha ajo.

Osmani ka përmendur edhe qëndrimin e Serbisë ndaj agresionit rus në Ukrainë, duke thënë se ka sinjale se Rusia po punon edhe për destabilizimin e Ballkanit me ndihmën e shtetit serb.

”I vetmi vend në Evropë ku ka protesta pro Putinit është Serbia. I vetmi vend në pjesën tonë të botës dhe Evropës, përveç regjimit të Lukashenkos [në Bjellorusi] që nuk ka vendosur për sanksione kundër Rusisë, është Serbia. Fakti që ai [presidenti serb, Aleksandar Vuçiq] nuk ka rënë dakord për të vendosur sanksione kundër Rusisë tregon se ai qëndron qartë me Rusinë për këtë. Dhe ndërsa në vitet 1990 Sllobodan Millosheviqi me të vërtetë kreu krime në atë masë sa u quajt me të drejtë kasapi i Ballkanit, ajo që është Putin tani është kasapi i demokracisë”, ka përfunduar ajo.

Kujtojmë se fillimi i pushtimit rus në Ukrainë tashmë ka arritur në ditën e 13-të, duke përkeqësuar kështu edhe jetët e qytetarëve ukrainas të cilët nuk janë larguar nga vendi.

Komento: