Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas nënshkrimit zyrtar të ligjit që ua garanton qytetarëve të Kosovës lëvizjen pa viza nëpër shtetet e Bashkimit Evropian.
Osmani falënderoi kryetaren e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola për, siç tha ajo, mbajtjen e premtimit dhënë qytetarëve të Kosovës.
“Faleminderit e nderuara Roberta, për mbështetjen tuaj të pakusht në mbajtjen e premtimit dhënë njerëzve të Kosovës”, shkroi Osmani në Twitter.
Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka uruar qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave.
Metsola e cila mori pjesë në nënshkrimin e aktit ligjor për liberalizimin e vizave, tha se është një moment krenarie që sot dhamë dritën e gjelbër përfundimtare në këtë proces.
“Nënshkruar, vulosur, dorëzuar. Moment krenarie për Parlamentin Evropian, pasi sot dhamë dritën jeshile përfundimtare për liberalizimin e vizave me Kosovën. Kjo do ta bëjë jetën më të lehtë për popullin e Kosovës – të udhëtojë, të bëjë biznes, të thellojë lidhjen me evropianët”, ka shkruar Metsola në Twitter.