Presidentja Osmani flet për Asociacionin: Marrëveshjet duhet të shtyhen për t’u zbatuar, Kosova nuk po ikë nga obligimet e saj

17:34 | 09 Maj 2023

Osmani për BBC flet për Asociacionin: Marrëveshjet duhet të shtyhen për t’u zbatuar, Kosova nuk po ikë nga obligimet e saj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë dhënë për BBC News, ka folur për Deklaratën për të Zhdukurit ku palët ranë dakord në takimin e 2 majit në Bruksel, teksa e theksoi si arritjen më të madhe të dialogut, si dhe për çështjen e Asociacionit, shkruan Reporteri.

E para e vendit tha se nevojitet bashkëpunimi i Serbisë për të gjetur të zhdukurit nga lufta, ndërsa shpreson se shteti serb do t’i zbatojë obligimet e marrëveshjes.

“Unë mendoj se kjo është një nga arritjet më të mëdha të dialogut, sepse është një marrëveshje që prek direkt qytetarët tanë. Më shumë se 1600 familje në Kosovë janë akoma duke bërë më të mirën të mundshme për të gjetur mbetjet e të zhdukurve gjatë luftës pasi u zhduken me forcë nga regjimi i Millosheviqit. Natyrisht që ne besojmë që janë në varreza masive në Serbi, por na nevojitej Serbia të bashkëpunonte. Tani kyçe është përmbushja e marrëveshjes. Unë me të vërtetë shpresoj që Serbia do t’i zbatojë të gjitha obligimet” tha Osmani.

Por, e pyetur pse Kosova është kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Presidentja Osmani tha për BBC News se në Bruksel janë nënshkruar plot 40 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e se Asociacioni është vetëm njëra nga këto marrëveshje.

Osmani ka theksuar se Kosova nuk po ikë nga obligimet e saj dhe se shteti ynë është i gatshëm të bëjë gjithçka bazuar në standardet evropiane për të akomoduar të drejtat e serbëve, shkruan Reporteri.net.

“Vetëm për t’i vënë gjërat në kontekst, këtu janë nënshkruar pothuajse 40 marrëveshje në Bruksel midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë në 11 vitet e fundit. Çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ka qenë vetëm një nga këto marrëveshje. Duhet përmendur që shumica e këtyre marrëveshjeve nuk janë zbatuar nga Serbia, përfshirë obligimin për të njohur dokumentet e Kosovës”, tha Osmani.

“Të gjitha marrëveshjet duhet të shtyhen për t’u zbatuar. Kosova nuk po ikë nga obligimet e saj. Çka ne jemi të gatshëm të bëjmë, është të japim gjithçka bazuar në standardet evropiane, për të akomoduar të drejtat e serbëve. Por jo t’u japim serbëve një instrument përmes të cilit vazhdimisht do të injorojnë, të shkelin sovranitetin dhe funksionin e Kosovës si shtet” tha Osmani.

Komento: