
Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se ka proceduar në Kuvend amandamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it.
Osmani tha se pas dështimeve të njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentit/es, ka marrë këtë vendim në mënyrë që të mos ketë bllokadë në vend.
“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.”, ka shkruar presidentja Osmani në Facebook.
Ajo gjithashtu ftoi të gjitha partitë politike që të votojnë këto amandamente kushtetuese.
“I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!”, ka shkruar tutje Osmani.