E para e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova nuk ka tokë për të falur dhe se mbrojtja e saj është betim jetësor, duke thënë se përpjekjet e Serbisë në këtë drejtim sa vijnë e shtohen.
”Përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar stabilitetin e brendshëm si dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës sa vijnë e shtohen. E po kështu, shtohet përkushtimi dhe mobilizimi ynë për t’i parandaluar ato. 24 shtatori i vitit 2023, mëngjesi fatal në Banjskë për shkak të agresionit serb, ishte dëshmia më e qartë e kësaj. Atë mëngjes, heroi ynë, Afrim Bunjaku me shokë, i treguan Serbisë dhe dashakeqëve se Kosova nuk ka pëllëmbë toke për të falur dhe se mbrojtja e saj është betimi ynë i përjetshëm. Ende, 424 ditë më pas, nuk ka llogaridhënie e as drejtësi nga ana e Serbisë” tha ajo.
Serbia vazhdon minimin e përpjekjeve të vendeve tjera të rajonit për paqe, siguri e stabilitet të qëndrueshëm në rajon, duke i shërbyer agjendës së Rusisë së Putinit, me format më perfide të luftës hibride, në mbajtjen e tensioneve të vazhdueshme, duke synuar shkatërrimin e vendeve fqinje.
Shefja e shtetit, thotë se Kosova duhet të qëndroj fuqishëm mbi vlerat e lirisë dhe paqes.
”Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj qëndrojnë dhe do të qëndrojnë fuqishëm mbi vlerat e lirisë, paqes, demokracisë, përderisa institucionet tona vendore të sigurisë dhe mbrojtjes janë të përkushtuara maksimalisht që në bashkëpunim të plotë me aleatët tanë të sigurisë, të mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror, si dhe të sigurojnë zbatimin e kushtetutës dhe ligjeve e të mbrojnë jetën, pronën, lirinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim” u shpreh ajo.