Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 27-vjetorin e rënies heroike të Mujë Krasniqit – Kapuçit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nderuar sakrificën e tyre si themel të lirisë së vendit.
Në një mesazh përkujtimor, Presidentja Osmani theksoi se dëshmorët e UÇK-së ranë për t’u ngritur në përjetësi, duke u shndërruar në kushtrim të përhershëm të lirisë. Ajo vlerësoi vendimin e tyre për të zgjedhur nderin mbi frikën dhe atdheun mbi jetën, duke sakrifikuar gjithçka për idealin e lirisë.
“Sakrifica e Mujë Krasniqit dhe e shokëve të tij është gurthemeli mbi të cilin u ndërtua liria jonë,” u shpreh Osmani, duke shtuar se gjakut të tyre i detyrohen qytetarët e Kosovës dhe flamuri i Republikës, i cili sot valon i lirë.
Në fund të mesazhit, Presidentja Osmani u përkul me nderimin më të lartë para veprës së tyre, duke përsëritur thirrjen për lavdi të përjetshme për Mujë Krasniqin dhe 41 dëshmorët e UÇK-së

