Presidentja Osmani në Ditën e Evropës: Angazhimi i Kosovës mbetet i palëkundur në rrugën drejt BE-së

14:21 | 09 Maj 2023

Osmani në Ditën e Evropës: Angazhimi i Kosovës mbetet i palëkundur në rrugën drejt BE-së.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në Ditën e Evropës ka thënë se kjo ditë është e rëndësishme për të reflektuar mbi vlerat që na bashkojnë si popuj evropianë, duke theksuar lirinë, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit

Osmani ka thënë se këto janë vlera për të cilat Kosova dhe populli i saj ka luftuar historikisht dhe vazhdon t’i mbrojë edhe sot.

“Dita e Evropës është mundësi për të reflektuar mbi vlerat që na bashkojnë si popuj evropianë – liria, demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit. Këto parime themelore kanë qenë shtylla të rëndësishme të Bashkimit Evropian që nga formësimi i tij, e janë pikërisht këto vlera për të cilat Kosova dhe populli i saj ka luftuar historikisht dhe vazhdon t’i mbrojë edhe sot”, tha thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës ka thënë se Dita e Evropës shërben si kujtesë e fuqishme për rëndësinë e solidaritetit e unitetit ndaj njëri-tjetrit, si dhe duhet shfrytëzuar për të reflektuar mbi të gjitha sukseset e arritura deri tani.

“Në këtë kohë përcaktuese, Dita e Evropës shërben si një kujtesë e fuqishme për
rëndësinë e solidaritetit, unitetit dhe mbrojtjes së njëri-tjetrit. Le ta shfrytëzojmë këtë
moment për të reflektuar mbi të gjitha sukseset që kemi arritur deri tani dhe për ta
rikonfirmuar vullnetin tonë të pashembullt për suksese të reja në rrugën drejt integrimit
evropian”, shtoi Osmani.

Tutje, e para e shtetit ka thënë se Kosova dhe populli i saj do të mbesin gjithnjë mishërim i vlerave, dhe se angazhimi do të mbetet i palëkundur në rrugën drejt BE-së.

“Kosova dhe populli i saj kanë qenë, janë, dhe do të mbeten gjithnjë mishërim i këtyre
vlerave. E gjersa afrohemi më shumë drejt Bashkimit Evropian, angazhimi ynë mbetet i
palëkundur, sepse vendosmëria jonë për demokraci, paqe, të drejta të njeriut e sundim
të ligjit, mbetet poashtu e palëkundur”, ka thënë Osmani.

Komento: