Osmani për vdekjen e Edi Shukriut: Humbje e thellë për shkencën shqiptare.
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të akademikes, Edi Shukriu.
“Me dhembje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të profesoreshë Edi Shukriut, anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, profesoreshë shumëvjeçare e Universitetit të Prishtinës, si dhe veprimtare e shquar politike dhe inistiucionale”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja ka shtuar se ndarja nga jeta e Edi Shukriut është humbje e thellë për dijet e për shkencën shqiptare, pasi ajo ishte një emër i çmuar në fushën e arkeologjisë e të historisë, fusha në të cilat ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme.
“Duke qenë ndër arkeologet e para shqiptare, ajo i vuri themelet e dijeve arkeologjike në Kosovë, së cilave ua kushtoi pothuajse tërë jetën, duke themeluar e drejtuar institucione e projekte të ndryshme kërkimore e shkencore. Njeri me vokacion të theksuar poetik, prof. Shukriu është e njohur edhe në fushën e letërsisë. Ajo na i ka lënë trashëgim disa vepra poetike”, tha Osmani.
Osmani shtoi se në këto çaste të vështira, bashkëndjej me familjen, miqtë e kolegët e saj.
“I përjetshëm kujtimi për Edin!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Presidentes Osmani.