Presidentja Osmani pret Prattipatin: Përkushtim të palëkundur për linjëzim të plotë me ShBA-në

17:40 | 12 Shkurt 2026
presidentja-osmani-pret-prattipatin:-perkushtim-te-palekundur-per-linjezim-te-plote-me-shba-ne

Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Gjatë takimit, siç njofton Presidenca, u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, “me theks në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve”.

“Në takim u diskutua gjithashtu për rolin e Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe për hapat e mëtejmë në këtë drejtim. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për linjëzim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përputhje me interesat strategjike të vendit, si dhe për thellimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”, u tha në njoftimin e Presidencës së Kosovës. /Klankosova.tv

Komento: