Presidentja Osmani pritet sërish ta kundërshtojë ngritjen e tarifave të energjisë elektrike

11:26 | 05 Shkurt 2026
presidentja-osmani-pritet-serish-ta-kundershtoje-ngritjen-e-tarifave-te-energjise-elektrike

Presidentja Vjosa Osmani do t’i drejtohet Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), në lidhje me tarifat e reja të energjisë elektrike në vend, që do të shqyrtohen nga ky rregullator, e që potencialisht mund të hynë në fuqi në muajin prill të këtij viti.

Tre kompanitë që merren me energjinë elektrike në Kosovë – KOSTT-i, KEDS dhe KESCO kanë dorëzuar aplikimet e tyre për të hyrat e lejuara maksimale, duke kërkuar rritje të tyre – që përkthyer në përqindje-  i bie se kanë kërkuar rreth 20% rritje të çmimit të rrymës në Kosovë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani, ka thënë se “qëndrimi i Presidencës do të mbetet i njëjtë, nëse ka ndryshime ose rritje të tarifave

“Në momentin që hapet thirrja për komente, do t’i dorëzojmë komentet tona si edhe vitet e kaluara, duke u udhëhequr nga interesi publik” – ka thënë shkurtimisht Kupina.

Në vitin 2025, teksa ZRRE ishte në fazën e shqyrtimit të aplikimeve të kompanive për tarifat e reja dhe të pranimit të komenteve, që rezultoi më pas me rritje të çmimit të rrymës për 16.1%, Presidenca e Kosovës kishte kundërshtuar rritjen, duke e konsideruar në atë kohë si në kundërshtim me kornizën ligjore.

Presidenca kishte dalë me një varg vërejtjesh dhe masa të menjëhershme, që do duhej të ndërmerreshin për të parandaluar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, pasi që kishte analizuar Raportet konsultative për përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të Operatorëve energjetikë dhe kishte dorëzuar  komentet e saj te ZRRE.

Masat i kishte ndarë në të menjëhershme, afatmesme dhe afatgjata.

Masat e menjëhershme që ishin propozuar nga Presidenca në vitin 2025, kanë qenë: mirëmenaxhimi i shpenzimeve dhe humbjeve, subvencioni i energjisë, identifikimi i masave shtesë për obligimin e pagesës së faturave mujore në katër Komunat veriore, largimi ose reduktimi i përkohshëm i TVSH-së për energjinë elektrike dhe dizajnimi e prezantimi i programit të shtyrjes së pagesave.

Sipas Presidencës në atë kohë, ZRRE-ja do duhej të insistonte për një dialog me Qeverinë për ta shqyrtuar mundësinë e subvencionimit të energjisë për konsumatorët, veçanërisht për ata të cilët janë më të prekur nga rritja e çmimeve.

Kurse për masën e dytë, Presidenca kishte ardhur në përfundime se largimi i TVSH-së, në një masë e tillë do të kontribuonte në menaxhimin e situatës dhe do të ndihmonte në shmangien e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

“Nëse largimi i plotë i TVSH-së për një periudhë të caktuar do të ishte sfidues, mund të shqyrtohet reduktimi i TVSH-së për një periudhë të caktuar.” – thuhej në propozime mes të tjerash.

Masat afatmesme kanë qenë: menaxhimi efikas i KEK-ut dhe planifikimi i burimeve energjetike, rritja e efikasitetit të furnizimit me energji dhe vazhdimi i programeve të efiçiencës së energjisë për konsumatorët.

Kurse, masat afatgjata të propozuara nga Presidenca në atë kohë ishin: ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike në vend dhe Marrëveshjet për tregtinë ndërkufitare të energjisë me shtete aleate.

“Presidenca inkurajon ZRrE-në që t’i trajtojë me seriozitet këto komente, komentet e qytetarëve dhe organizatave të cilat merren me mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit, përpara se të marrë një vendim përfundimtar.” – thuhej në fund të Propozimeve.

Cilat janë kërkesat e KESCO, KEDS dhe KOSTT për tarifat e reja për vitin 2026?

KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë kërkuar rritje të të hyrave maksimale, që i bie një kërkesë për rritje të çmimit të energjisë për rreth 20%.

KESCO, që bën furnizimin me energji elektrike, ka kërkuar nga ZRRE që përgjatë vitit 2026 t’i lejojë të hyra 528.78 milionë euro. Kërkesa e vitit 2026 është rreth 92.854 milionë euro më shumë se të hyrat e miratuara nga ZRRE për KESCO-n në vitin 2025, të cilat kanë qenë 435.926 milionë euro.

KESCO me këto para e paguan energjinë që e prodhon KEK-u, importin dhe shërbimet ndaj KEDS-it dhe KOSTT-it për bartje të energjisë.

Një nga arsyet kryesore pse KESCO ka kërkuar rritje të të të hyrave maksimale të lejuara ka qenë kostoja e blerjes së energjisë me shumicë nga jashtë. Sipas tyre, për shkak se energjia e siguruar përmes importit nga aspekti i kostove nuk është propocionalisht me gjenerimin vendor, rritja e kostos së importit ka tejkaluar vlerat e lejuara gjatë shqyrtimit tarifor, prej afërsisht 36 milionë euro.

Arsyeja tjetër që KESCO ka theksuar në aplikimin e tij ka qenë edhe çështja e kostove me pakicë, që nënkupton obligimet operative të KESCO, për të siguruar shërbime të rregullta dhe funksionale për konsumatorët, përfshirë faturimin, informimin dhe kujdesin ndaj konsumatorëve.

Po ashtu, është përmendur rritja e inflacionit dhe vendimi i Qeverisë së së Kosovës për rritjen e pagës minimale në 425 euro nga janari 2026 dhe në 500 euro nga korriku 2026, që sipas txre “pritet një efekt zinxhiror në kostot operative të Furnizuesit me Shërbim Universal”.

Në dosjen e aplikimit të KESCO-s thuhet se të hyrat maksimale të lejuara nga ZRRE për vitin 2025 kanë qenë 435.93 milionë euro ndërsa janë realizuar 489.95 milionë euro apo 49.69 milionë euro më shumë se sa kanë qenë të miratuara nga ZRRE.

“Faktori korrigjues (49.69 mil) ka për qëllim që procesi tarifor të mbetet i drejtë dhe i balancuar, duke mos lejuar që diferencat e krijuara në një vit të bartën në mënyrë të vazhdueshme nga viti në vit pa trajtim adekuat, pasi kjo rrezikon stabilitetin financiar të shërbimit universal dhe rrjedhimisht, sigurinë e furnizimit për konsumatorët”- thuhet në dosjen e KESCO-s.

Në aplikimin e KEDS-it thuhet se kërkesa bazohet në kostot reale operative, kapitale dhe të humbjeve, të cilat sipas tyre, kanë pësuar ndryshime të konsiderueshme për shkak të luhatjeve të çmimeve në treg, rritjes së pagës minimale dhe faktorëve të tjerë të jashtëm

Sipas KEDS-it, këto ndryshime janë jashtë kontrollit të tyre dhe nuk mund të mbulohen vetëm nga rritja e inflacionit dhe për këtë arsye “ky aplikim nuk mund të konsiderohet si kërkesë për rritje të luksit, por për sigurimin e funksionimit minimal të rrjetit dhe sigurimit të furnizimit”.

KEDS ka përmendur në aplikim rritjen e shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes për vitin 2025, duke thënë se si pasojë e rritjes së numrit të konsumatorëve, është rritur edhe volumi i punës.

Në dosjen e aplikimit KEDS ka përmendur që në vitin 2025, ka importuar mbi 16 milionë euro më shumë sesa niveli i lejuar nga ZRRE. “Kjo është një barrë e rëndë financiare për kompaninë, që përveç kostos së lartë të importit ka rritur edhe kërkesën për burime financiare të tjera, duke e çuar OSSH-në në humbje”.

Po ashtu, KEDS-i ka evidentuar edhe kostot nga hapja e tregut të energjisë elektrike, që sipas tyre, ka shkaktuar një sërë detyrimesh dhe procese të reja operative për ta, të cilat nuk kanë qenë pjesë e aktiviteteve të rregullta operacionale në vitet e mëparshme.

Një tjetër arsyetim për rritje të të hyrave të lejuara maksimale nga ana e KEDS-it, kanë qenë edhe shpenzimet e personelit. Sipas tyre, në periudhat e fundit për ta ka qenë e pamundur për të motivuar punëtorët, pasi “ZRRE-ja nuk kishte lënë hapësirë shumë herë për rritje të pagave për punonjësit e kompanisë”.

Në aplikimin e KOSTT-it për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026, thuhet se këto të hyra të lejuara maksimale duhet t’i mundësojnë atyre mbulimin e kostove të arsyeshme për ofrimin e shërbimeve të sistemit. Sipas tyre, rritja e kërkesës për energji në Kosovë kërkon kapacitete shtesë në transmetimin e energjisë elektrike.

Sipas tyre, kërkesa prej 99.383 milionë euro synon që të sigurojë operim të qëndrueshëm të KOSTT-it, që të ofrojë shërbime më cilësore për konsumatorët dhe të ruajë stabilitetin financiar.

Disa nga projektet kryesore që KOSTT-i i ka përmendur që është e domosdoshme dhe e nevojshme për investim janë në Nënstacionin Klina, ku është parashikuar rehabilitimi i nënstacionit së bashku me instalimin e transformatorit të dytë. Tek Nënstacionet Gjilani 1 dhe 5, Gjakova 1, Gjakova 2, Prizreni 3, Vitia, Prishtina 1, është parashikuar zëvendësimi i transformatorëve në secilën prej këtyre nënstacioneve. Një tjetër projekt që është parashikuar për investim, sipas KOSTT-it, është linja e re e njëfishtë kabllore në nënstacionet Prizreni 1 dhe Prizreni 2.

Si dhe gjithashtu është përmendur edhe dixhitalizimi i operatorit të tregut, pasi që sipas KOSTT-it, paraqet një hap strategjik dhe të domosdoshëm për modernizimin e sektorit energjetik në Kosovë.

Komento: