Presidentja Osmani s’e ka falur asnjë të burgosur për dy vjet

23:39 | 21 Prill 2023

Presidentja Vjosa Osmani, në mandatin e saj, ka të drejtën ligjore për të falur të burgosurit të cilët i plotësojnë kriteret. Por, as këtë vit siç rëndom bëhej në festa, ajo nuk e ka falur asnjë të burgosur.

Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut thonë se kjo është e papranueshme dhe e pakuptueshme.

Që nga marrja e mandatit të saj, presidentja Vjosa Osmani nuk e fali asnjë të burgosur në vend.

Kështu, rreth 500 kërkesa të të burgosurve në Qendrat e Paraburgimit në vend, u refuzuan nga ky institucion, raporton TV1.

E nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut thonë se është e papranueshme dhe e pakuptueshme pse ende nuk është bërë asnjë falje.

“Pavarësisht numrit të madh të kërkesave, për neve është me rëndësi që kriteret janë të plotësuara nga shumë persona të privuar nga liria, dhe të gjithë ata që kanë plotësuar të gjitha kriteret për falje, do të duhej të përfitonin nga falja”, tha nga ky Këshill, Valetina Demolli, për TV1.

Ajo thotë se me këto veprime të presidentes Osmani, ka një zhgënjim dhe mllef tek të burgosurit.

“Për shkak se ne çdo herë rekomandojmë se ka persona që meritojnë faljen dhe ka persona që do të duhet të faleshin nga Presidentja e Republikës së Kosovës. Veçanërisht kur i afrohemi festave, janë momente “ankthi” kur pritjet dhe shpresat në të njëjtën kohë janë më të mëdha nga personat e privuar nga liria, që do të përfitojnë nga falja, nga Presidentja”.

E Gëzim Shala nga Instituti Kosovar për Drejtësi vlerëson se mosfalja e të burgosurve mund të ketë efekte negative.

“Për shkak se, në njëfarë forme, edhe dekurajohen të burgosurit të cilët ndoshta për shkak të sjelljeve korrekte në institucionet për mbajtjen e dënimit, që të njëjtit të mos falen. Për këtë arsye, nuk bën që ndërtohet si praktikë që të mos aplikohet falja”.

Paraardhësit e Osmanit e kishin praktikuar faljen e të burgosurve, ku kryesisht këto ishin bërë në festa fetare por edhe kombëtare.

Komento: