Presidentja Osmani: Serbia ka krijuar krizë që të mos diskutohet marrëveshja finale

13:17 | 30 November 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se Serbia ka krijuar krizë në javët e fundit, në mënyrë që të mos diskutohet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i ka bërë këto deklarata në një konferencë të përbashkët për media me presidentin bullgar, Ruman Radev në Sofje.

“Është koha që ndërmjetësuesit e dialogut, Bashkimi Evropian, ta kuptojnë se Serbia ka përdorur taktikën e pengimit, përmes pjesëmarrjes”.

Sipas Osmanit, pala serbe diskuton në tavolinë me kushtëzime dhe pengesa.

“Kjo është mënyra se si ata tentojnë të bllokojnë perspektivën e Kosovës në rajon dhe në nivel ndërkombëtar. Natyrisht, është në interesin tonë që ta përmbyllim këtë dialog me një marrëveshje ligjërisht të zbatueshme dhe duhet ta kuptojmë se pala që është në anën tjetër të tavolinës, nuk është e interesuar që ta përmbyllë këtë proces me sukses”.

Presidentja e Kosovës ka thënë se Serbia ka nisur të prodhojë kriza muaj më parë, kur, sipas saj, Bashkimi Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania, kanë dalë me një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

Propozimi që përmendi ajo – i njohur në publik si plani franko-gjerman – thuhet se parasheh disa hapa që do të çonin në zgjidhjen e problemeve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Së voni, Bashkimi Evropian ka nisur t’i referohet atij si “propozimi i Brukselit”.

“Interesi ynë është i kundërt, pra që diskutimet të nisin sa më parë që është e mundur”, ka thënë Osmani, duke shtuar se shpreson që BE-ja t’i dërgojë mesazh Serbisë se nuk mund të bllokojë më procesin.

Ekzistenca e propozimit të BE-së është konfirmuar edhe nga liderët e Kosovës, edhe nga ata të Serbisë.

Në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ndërsa, në Serbi kanë thënë se ky plan nuk është në favor të saj.

Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se plani parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të saj në BE.

“Është koha që Serbia përfundimisht të vendosë se në cilin drejtim dëshiron të shkojë. Në drejtim kah Evropa, apo në drejtimin e Moskës? Nuk mund të jesh me të dyja palët”, ka thënë Osmani.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të larta qysh në verë, për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Në muajin nëntor, dy vendet kanë arritur marrëveshje për targat, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Marrëveshja parasheh që Kosova të pezullojë planin për riregjistrim të makinave dhe që Serbia të mos lëshojë më targa serbe për qytetarët në Kosovë.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”. /rel

Komento: