Presidentja Osmani shkon në Mal të Zi me ftesë të Gjukanoviqit, do ta takojë edhe Abazoviqin

17:38 | 06 Shkurt 2023

Osmani shkon në Mal të Zi me ftesë të Gjukanoviqit, do ta takojë edhe Abazoviqin.

Presidentja Vjosa Osmani, me ftesë të homologut të saj Milo Gjukanoviq ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Mal të Zi, njoftoi Presidenca

Gjatë vizitës në shtetin fqinj, Presidenca thotë se Osmani do të zhvillojë takim me Gjukanoviqin, “ku përveç konfirmimit të marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërshtetërore, do të diskutohet edhe për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajon si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit”.

“Presidentja Osmani gjatë vizitës në Mal të Zi do të takohet edhe me Kryeministrin Dritan Abazoviq”, njoftoi Presidenca.

Në agjendën e Presidentes Osmani është edhe vizita në komunën e Ulqinit dhe atë të Tuzit.

“Në Ulqin, Presidentja Osmani përveç takimit me Kryetarin Omer Bajraktari, do të realizojë takime të ndara me përfaqësuesit e partive shqiptare në Mal të Zi dhe një grup intelektualësh dhe miqsh të Kosovës. Kurse në komunën e Tuzit, pas takimit me Kryetarin Nik Gjeloshaj do ta vizitojë një nga bizneset e suksesshme të kësaj komune, i cili njëherit është edhe investimi më i madh nga Kosova”, thuhet në njoftim.

Komento: