Presidentja Osmani takohet me kryeministrin grek, i flet për heqjen e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në KiE

15:15 | 07 Tetor 2022

Osmani i flet kryeministrit grek për heqjen e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, takim të cilin e konsideroi përmbajtjesor mbi zhvillimet e fundit

Me kryeministrin e vendit që ende s’e njeh pavarësinë e Kosovës, Osmani tha se është gjithmonë kënaqësi të takohet, derisa me të foli edhe për vizat dhe proceset integruese të Kosovës.

“Theksova nevojën e përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe nevojën për avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me Greqinë”.

Pak më herët, Osmani njoftoi edhe për takimin që ka zhvilluar edhe me liderin e shtetit tjetër mosnjohës nga pesëshja e BE-së, kryeministrin sllovak, Eduard Heger, me të cilin u zotua se do të punojë për forcim të bashkëpunimit.

Këto takime Osmani po i zhvillon në kuadër të samitit të Komunitetit të Parë Europian që po mbahet në Pragë e që ka bërë bashkë liderët e kontinentit europian për të foluar për sfidat aktuale

Komento: