Presidentja Osmani thotë se në buxhetin e vitit të ardhshëm shëndetësia të jetë prioritet

12:22 | 19 October 2022

Osmani thotë se në buxhetin e vitit të ardhshëm shëndetësia të jetë prioritet.

Presidentja e Kosovës, Vosja Osmani ishte e pranishme në Klinikën e Onkologjisë për ndarjen e donacionit me nga 100 proteza silikoni dhe gjoksore, për gratë me kancer të gjirit.

Osmani i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës, që në ndarjen e buxhetit për vitin e ardhëm ta ketë prioritet shëndetësinë, duke shtuar se do të bëjë çmos që kushtet në shëndetësi të përmirëohen.

“Do të bëjmë çmos që kushtet në këtë klinikë të përmirësohen që puna e tyre të lehtësohet, që sukseset në parandalim dhe jetëgjatësi të rriten sepse, siç tha një doktor, kur pacientët vijnë këtu nuk ankohen që s’ka asfalt. Kështu që lë të jetë një mesazh për të gjithë ata që në fundvit vendosin se kujt t’i jepet përparësi sa i përket buxhetit shtetëror, asgjë nuk është më e rëndësishme sesa jeta dhe shëndeti i qytetarëve tanë. Andaj bëj thirrje që asgjë të mos jetë prioritet më i madh sesa shëndetësia në vendin tonë”, ka thënë Osmani, njofton Klankosova.

Osmani premtoi rritje të donacionit për vitin e ardhshëm dhe kërkoi angazhim edhe të institucioneve të tjera përkatëse që të realizojnë kërkesat në sektorin e shëndetësisë.

“Edhe vetë si presidente dhe natyrisht si presidencë do të vazhdojmë të rrisim kontributin nga 100 pacientë të shkojmë në 400 e kështu ta rrisim në vazhdimësi. Të gjitha janë çështje që duhet dhe mund të trajtohen, nuk është shkencë raketore, janë kërkesa që mund të realizohen, kur ka vullnet politik”, ka shtuar ajo.

Komento: