Presidentja Osmani udhëton për në Francë.

14:57 | 09 November 2022

Vjosa Osmani udhëton për në Francë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të udhëtojë për në Francë. Ajo të enjten dhe të premten e 11 dhe 12 nëntorit do të jetë pjesëmarrëse në Forumin e Paqes në Paris.

Forumi i Paqes në Paris e krijuar në mars të vitit 2018, çdo vit mbledh liderët botërorë e krerët e organizatave të ndryshme ndërkombëtare për të diskutuar për një mori çështjesh dhe tenton të gjejë forma të veprimit kolektiv.

Sipas faqes zyrtare të këtij forumi, tema kryesore e cila pritet të diskutohet nga pjesëmarrësit në këtë edicion është kapërcimi i krizave.

Ndërsa tema në të cilën Vjosa Osmani do të jetë paneliste titullohet “Navigimi në trazirat ndërkombëtare”.

“Sipas raportit të Indeksit Global të Paqes, në vitin 2022, paqja ra në nivelin më të ulët në 15 vjet, me një numër në rritje të konflikteve dhe tensione të rritura në mbarë botën. Kjo në një kohë kur është më urgjente se kurrë forcimi i veprimit kolektiv dhe multilateralizmit për t’iu përgjigjur krizave të shumta që po kalon bota”.

“Ky edicion do të shqyrtojë se si të ruhet bashkëpunimi global kur gjeopolitika bëhet pengesë, por edhe se si ndonjëherë duhet të vizatohen vija të kuqe”.

Për në Paris do të udhëtojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ai në një konferencë për media kishte bërë të ditur se në Paris do të takohet me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell e të deleguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Vuçiç, i cili nuk dha shumë detaje për këtë takim me diplomatët evropian, deklaroi se gjatë qëndrimit në Paris mund të takohet edhe me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, për të diskutuar për situatën në Veri, pasi Lista Serbe braktisi institucionet e Kosovës.

“E anulova vizitën në Egjipt, Katar, duhet të shkoj në Paris për të diskutuar për situatën në Kosovë, e për t’i qetësuar tensionet”, ka thënë shkurt ai.

Komento: