Presidenca e Republikës së Kosovës ka uruar dhe mbështetur nominimin e Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims (QKRMT) dhe të znj. Feride Rushiti për Çmimin Nobel për Paqe. Presidentja Vjosa Osmani ka përgëzuar Feride Rushitin dhe organizatën që ajo udhëheq për këtë nder të madh dhe arritje të rëndësishme.
QKRMT, një organizatë e njohur për kontributin e saj në rehabilitimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka luajtur një rol kyç në avancimin e të drejtave të grave dhe zhvillimin e politikave që mbështesin përmirësimin e statusit të viktimave. Për më tepër, kjo organizatë ka ndihmuar edhe në ndarjen e përvojës së Kosovës në nivel ndërkombëtar për ndihmën e të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Presidentja Osmani e vlerësoi këtë nominim si një njohje të punës dhe përkushtimit të organizatës dhe të znj. Rushiti, e cila ka kontribuar në forcimin e shtetit të Kosovës dhe avancimin e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale. Ajo gjithashtu ka shprehur falënderime për deputetin suedez, Magnus Jacobsson, i cili ka dorëzuar propozimin për nominimin dhe ka qenë i angazhuar në përpjekjet ndërkombëtare për të adresuar dhunën seksuale gjatë luftës dhe konflikteve.