Presioni i ndërkombëtarëve për taksën arsyeja e dorëheqjes, për herë të parë e pranon Haradinaj

08:25 | 31 August 2019

Ramush Haradinaj, kryeministër në dorëheqje ka folur edhe njëherë për taksën.

Haradinaj për herë të parë e ka pranuar se presioni i ndërkombëtarëve për taksën, e detyroi Qeverinë e Kosovës të japë dorëheqje.

Haradinaj në një intervistë për EkonomiaOnline, kritikoi vendet e QUINT-it të cilat sipas tij, po bëjnë presion të vazhdueshëm mbi Kosovën, por jo edhe mbi Serbinë. Thotë se nëse vazhdon një presion i tillë, do të ketë destabilizim të Ballkanit.

“Vendet e QUINT-it, janë të respektuara, dhe janë aleatë të Kosovës dhe janë të interesuara për marrëdhënie të mira me Serbinë. Por ata duhet ta kuptojnë se nuk ka hapësirë më, as për t’i bërë presion Kosovës, sepse me këtë presion e detyruan Qeverinë të japë dorëheqje, me masa të çuditshme, e çka tjetër. Nëse duan destabilizimin e Kosovës, ose kthimin e krizave në Ballkan, edhe mund ta bëjnë. Por ashtu nuk fiton askush, as Kosova, as rajoni, e as Bashkësia Ndërkombëtare. Ata kanë mbërri në atë fundin, nëse duan mund të na mbysin, por me presion më nuk mund të na bindin. QUINT-i duhet ta kthejë presionin ndaj Serbisë, e cila në mënyrë joparimore ka vënë kusht vetëm për të filluar dialogu po thotë hiqe taksën. E çka do të kërkojë atëherë për njohje, nëse vetëm për të filluar dialogu e kërkon tregun”, thotë ai.

I pyetur se nëse prapë udhëheq me Qeverinë e vendit, a do t’i përfillte kërkesat e ndërkombëtarëve për heqjen e taksës, Haradinaj thotë se nuk pranon më kushte dhe se kërkesat e tilla, nga kushdo qofshin do të shpërfillen dhe nuk do të gjejnë përkrahje.

“Unë nuk jam për t’i përfillur këto kërkesa të QUINT-it. Jam për t’iu thënë na falni, ne jemi vend sovran, ne kemi versionin tonë si mund të merremi vesh me Serbinë, nëse e respektoni vijmë në tavolinë, nëse jo po presim. Nuk është me çdo kusht dialogu. Unë e di çka kam heq me ndal ndarjen e Kosovës”, thotë ai.

Haradinaj është i bindur se nëse të gjitha partitë parlamentare janë të një fjale dhe nuk “bëjnë lojëra” presioni i miqve ndërkombëtarë do të hiqej.

Por, Haradinaj shprehet i bindur se përveç tij, të gjithë të tjerët, duke përfshirë edhe Albin Kurtin, do të pranojnë të heqin taksën pa njohjen nga Serbia.

Madje për këtë ai thotë se PDK-ja, LDK-ja dhe VV-ja në çdo takim me ndërkombëtarët, “prapa dyerve të mbyllura”, e kanë pohuar një gjë të tillë.

“Nëse ne jemi unik, nëse të gjitha partitë parlamentare e kanë këtë qëndrim, Quint-i na kupton. Ata nuk janë armiq tanë. Problemi është se ne nuk po jemi unik. Ne po japim mendime të ndryshme dhe atëherë po mbetem vetëm unë që po mbaj qëndrim pengues. Shumica e politikanëve të Kosovës, duke dashur t’i hyjë në qejf ndërkombëtarëve me shpresën që ata iu ndihmojnë me ardhur në pushtet, thonë se janë të lehtë në dialog. Por këta po shkaktojnë pasoja për vendin. Edhe ata që thonë në publik se e kanë këtë qëndrim si unë, në dyer të mbyllura përfshirë Albinin, edhe LDK-ja, për PDK-në më dihet iu thonë që ne e heqim taksën dhe kthehemi në dialog. Është gabim që e bëjnë këtë. Nuk mendoj që kjo iu ndihmon atyre, as Kosovës. Ata duhet të jetë të qartë, kthehemi në dialog pa kushte. Shumë e thjeshtë”, thotë ai.

I pari i AAK-së thotë se më nuk do të bëjë “kontratë: me asnjë parti politike për postin e kryeministrit.

Thotë se këtë besim do ta kërkojë vetëm nga qytetarët, në të kundërtën thotë se do të pranonte t’i shërbente vendit vetëm nga opozita, raporton EO.

“Nuk e vendosi unë kush do të jetë Kryeministër. Do ta respektoj vendimin e popullit Nëse më jepet mundësia t’i shërbej vendit, do t’i shërbej si kryetar qeveria. Nëse nuk më jepet, mund ta bëjë një punë tjetër, ose mund të mos bëj fare. Mund të jem edhe në opozitë. Në demokraci është legjitime. Nuk paragjykoj çfarë pune do të bëj. Unë e kam një ofertë për qytetarin e vendit. Kjo ofertë është që të udhëheq me qeverinë e vendit. Ia kam paraqit këtë ofertë edhe AAK-së dhe koalicionit tonë. E kam besimin e tyre në parim, do të ndodhë nominimi në këto ditët që vijnë, të cilin do t’ia paraqes edhe qytetarit, nëse qytetari e aprovon, unë e marrë si kontratë nga qytetari. Nuk pranoj kontrata ndryshe”, thotë ai.

Kryeministri në largim thotë se të gjitha sondazhet vendëse dhe ndërkombëtare koalicionin AAK-PSD- e nxjerrin të parin.

Thotë se “vendimet e mëdha” për kthimin e shtetësisë së Kosovës dhe fuqizimin e saj, kanë bërë që të fitojë përkrahjen e qytetarëve.

Edhe vendimi për liberalizimin e vizave sipas tij, nuk është i largët.

“E vërteta është që në plotë sondazhe ne kemi dal të parët, që i kanë bërë partitë tjera politike, jo që i kemi bërë ne. Edhe faktorët ndërkombëtarë dhe institucionet relevante që merren me matjen e opinionit publik, tash pas bashkimit me PSD-në, matematikisht prijmë në Kosovë. Besoj që është me rëndësi që qytetari i Kosovës po ndihet më sovran. Nuk po e ndjen më veten rob. Prej momentit të parë kur kam shkuar në takimin me BE-në, në takimin e me zonjën Mogherini, kam thënë që nuk do ta lejoj ndarjen e Kosovës, nuk do ta aprovoj një dialog të Mogherinit. Ndodhi ajo që e kam thënë, e kemi heq dialog prej Mogherinit që ka qenë për ndarje, e kemi qitë te Merkeli në Berlin. Do ta bëjmë ushtrinë, e kemi bërë. Do ta mbrojmë tërësinë territoriale, u bë. Liberalizimi është në proces me ndodh, dhe nuk jemi larg. Populli nuk po i do më servilet”, thotë ai.

Por Haradinaj pranon se qeverisja e tij kishte edhe defekte, duke përmendur ministritë e shumta, por edhe numrin e madh të zëvendësministrave.

Thotë se në qeverinë e ardhshme do të ketë më pak ministri dhe zëvendësministra.

“Nuk ka qenë e mirë kjo dhe nuk jam lavdëruar asnjëherë. Ishte njëfarë kushtëzimi për krijimin e qeverisë, një rrethanë jo e lehtë dhe jam detyruar të kaloj nëpër disa situata të tilla. Kam respekt për njerëzit që kam punuar me ta, të gjitha partive dhe të gjitha komuniteteve, por ishte njëfarë situate e tillë. Ne kemi përgatitur një ligj për Qeverinë, por për fat të keq nuk u aprovua ende. Por unë synoj një qeveri ndryshe, jo një qeveri me 22 ministri më dhe me aq shumë zëvendësministra. Synoj një qeveri me më së shumti dy zëvendësministra për një ministri”, thotë ai.

Edhe sa i përket korrigjimit të kufirit me Malin e Zi, Haradinaj siguron qytetarët e vendit se kufiri do të jetë në Qafë të Çakorrit dhe në Qafë të Kullës.

Nuk beson se drejtues të Malit të Zi do të krijojnë probleme në këtë pikë, madje thotë se me këtë shtet, pos demarkacionit, nuk kanë asnjë temë të hapur.

“Kufiri do të jetë në Qafë të Çakorrit dhe në Qafë të Kullës. Ka një dakordim paraprak me udhëheqjen e Malit të Zi. Trupat punuese janë, Komisioni Shtetëror është, i cili kryesohet prej Bulliqit, që është i ngarkuar prej Qeverisë në të ardhmen e afërt kur fillon shënjimi i kufirit, të respektohen të gjeturat e Komisionit Shtetëror për pjesën e kufirit me Malin e Zi. Sepse votimi na obligon që të shënjojmë kufirin në përputhje me marrëveshjen që ka qenë e gabuar dhe raportin e Komisionit Shtetëror dhe deklaratën e presidentëve që kanë rënë në dakord për korrigjim. Pra, mendoj që Kosova nuk ka nevojë të shprehë ndonjë triumfalizëm të madh, sepse ajo nuk është ndonjë fitore e jashtëzakonshme, dhe se nuk është humbës Mali i Zi. Por përkundrazi me këtë shënjim të kufirit me Kosovën mbyllet kjo temë dhe nuk ka asnjë temë të hapur mes Kosovës dhe Malit të Zi”, përfundon ai.

Komento: