Është rritur presioni ndaj Qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë detaje të takimit të mbrëmshëm me dy zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilët ka diskutuar rreth taksës ndaj produkteve serbe dhe vazhdimit të dialogut me Serbinë në Bruksel.
Haradinaj ka thënë se takimi i zhvilluar në zyrën e presidentit Thaçi të mërkurën mbrëma ka qenë shumë përmbajtjesor, duke e sqaruar karshi amerikanëve pozicionin për dialogun dhe taksën.
Kryeministri para gazetarëve ka thënë se është pro vazhdimit të dialogut, ndërkohë ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij të palëkundur për taksën.
“Dialogu duhet të vazhdojë, që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse obligative ligjore në kufijtë ekzistues, por e cila nuk nënkupton një republikë të Millorad Dodikut në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.
Sa i përket taksës, Haradinaj ka thënë se qëndrimi i tij mbetet i palëkundur, duke potencuar se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia ta njoh pavarësinë e Republikës së Kosovës.
“Kërkesa e SHBA-së për pezullim të taksës natyrisht se na e mbush mendjen, por janë dy aspekte. Njëra është që taksa shihet si pengës për t’u kthyer në dialog dhe tjetra është si ndihmesë për t’u arritur më shpejtë marrëveshja. Për aq kohë sa tarifa është në fuqi, koha i kushton më shumë Serbisë sesa Kosovës”, ka thënë kryeministri.
Haradinaj ka thënë se siç e ka sqaruar edhe dje pas takimit me amerikanët, taksa do të vazhdojë të mbetet në fuqi.