Prezantohet Bursa e Mobilitetit për qasje të barabartë në arsim, Kurti: Do ta dyfishojmë buxhetin për bursa

09:56 | 26 Dhjetor 2025
Prezantohet Bursa e Mobilitetit për qasje të barabartë në arsim, Kurti: Do ta dyfishojmë buxhetin për bursa

Është prezantuar Bursa e Mobilitetit para studentëve përfitues, ku u theksua se kjo skemë synon të lehtësojë qasjen në arsim për studentët, pavarësisht distancës gjeografike dhe gjendjes ekonomike, raporton Ekonomia Online.

Në këtë aktivitet, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, thanë se Bursa e Mobilitetit nuk përfaqëson vetëm mbështetje financiare, por është pjesë e një vizioni më të gjerë për barazi dhe drejtësi sociale në arsim.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se nuk bëhet fjalë vetëm për një skemë mbështetëse financiare, por për një vizion më të gjerë për një republikë ku arsimi është i qasshëm, i drejtë dhe i barabartë për të gjithë.

“Nuk jemi duke folur vetëm për një skemë mbështetëse financiare, por edhe për një vizion më të gjerë, atë për një republikë ku arsimi është i qasshëm, i drejtë dhe i barabartë për të gjithë. Me bursën e mobilitetit për studentë, Qeveria jonë po adreson një sfidë reale me të cilën janë përballur shumë studentë ndër vite. Kjo skemë është e dizajnuar në programin e drejtësisë sociale, sepse ne vlerësojmë që distanca gjeografike dhe gjendja ekonomike nuk duhet të jenë pengesë e arsimit cilësor. Investimi në arsim është investim në të ardhmen e Kosovës. Do ta dyfishojmë buxhetin për bursa”, tha ai.

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se kjo masë ka qenë e paraparë të implementohet gjatë vitit të ardhshëm, por se kanë punuar shumë që të gjenden mundësi që ajo të zbatohet gjatë këtij viti.

“Është një masë për të cilën ne kemi punuar dhe jemi angazhuar që të realizohet, meqë ka qenë premtim për vitin e ardhshëm… Ju jeni ndër përfituesit e parë”, tha ai.

Komento: