Investimi prej 2 miliardë eurosh në portin e ri të Durrësit pritet të përfundojë në vitin 2026.
Parashikohet ndërtimi i një porti marinë, me jahte, hotele, qendra tregtare dhe ambiente argëtuese. Këto ishin disa nga detajet që prezantoi nga Durrësi, kryeministri Rama, investori dhe ministrja përgjegjëse. Ai që do ta bëjë këtë realitet, rrëfen emocionet.
“Unë jam biznesmen por jam biznesmen me emocione. Natyrisht më prek. Unë bëj biznes në shumë vende por rrallë herë gjej njerëz si ju.”, u shpreh Mohamed Alabbar nga kompania “EmaarGroup” e Emiratave të Bashkuara.
Ministrja përgjegjëse, shpjegoi disa prej detajeve të këtij investimi.
“Dy miliardë euro investim të cilat do të shtrihen në një periudhë 5-vjeçaare, dhe do t’i japin jo vetëm Durrësit por gjithë Shqipëerisë një injektim financiar të rritjes ekonomikë së shkallës së jashtëzakonshme.”, deklaroi Balluku.
Kryeministri shpjegoi impaktin që do të ketë ky por në të gjithë zonën përreth edhe përtej Durrësit.
“Do rritet vlera e gjithë pasurive të patundshme në Durrës. Siç do rritet vlera e pasurive të patundshme në Krujë dhe Shijak. Shumë përtej këtij qarkut.”, tha Rama.
Por, sipas Ramës, investimet në porte, nuk mbarojnë me Durrësin.
“Brenda qershorit do fillojmë ndërtimin e portit në Vlorë. Ndërkohë që në Sarandë ka filluar të ndërtohet. Ka tre porte turistike. Dhe brenda 2023-s do të fillojmë portën tjetër në Shëngjin. Katër porta nga deti.”, tha Rama.
Folësit në këtë prezantim të Ramës në Durrës, e përshkruan si një port marinë, ndër më të mëdhatë në Mesdhe. Ankorimet e jahteve do të jenë pamja më e zakonshme, ndërsa do të ndërtohen apartamente, hotele, qendra tregtare përfshirë ambiente argëtuese. Por më parë, siç parashikohet në projekt, do të rimodelohen rrugët dhe parqet.