Prezenca e strukturave paralele serbe në veri po paraqesin sfidë për institucionet e Kosovës

19:04 | 15 March 2019

Strukturat paralele serbe po vazhdojnë të jenë ende prezente në veri të Kosovës.

Madje, dikush këto struktura po i sheh si destruktive dhe pengesë për integrimin e serbëve të veriut në institucionet e Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bashkim Cimili për lajmi.net është shprehur se veriu i Kosovës ende vuan nga strukturat paralele.

““Po në veriun e Kosovës ende funksionojnë struktura paralele të shtetit serb dhe sigurisht që këta nuk kontribuojnë në integrimin e serbëve të veriut”, është shprehur Cimili.

I pyetur nëse këto struktura paraqesin problem për funksionimin e institucioneve të Kosovës në veriun e Mitrovicës, Cimili është shprehur se gjithmonë kanë qenë pengesë.

“Gjithmonë kanë qenë njëfarë lloj pengese. Unë mendoj që pas marrëveshjes në Bruksel këto struktura do të duhej të shuhen në plotni”, tha Cimili më tutje.

Ai është shprehur se dorëheqja e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore nuk ka sjellur diçka të jashtëzakonshme në atë pjesë të qytetit.

“Pas dorëheqjes së kryetarit të komunës së Mitrovicës Veriore, unë nuk kam vërejtur diçka të jashtëzakonshme. Këtu është gjithçka funksionale. Kryetarin nuk e kam parë edhe pse as vet nuk rri në atë institucion”, tha ai.

Ndërsa, ai është shprehur se në këtë situatë është mbetur vetëm të shihet se çfarë do të ndodh më tutje.

“Dhe vlen të thuhet se kryetari i Mitrovicës së Veriut në dorëheqjen e tij i është referuar Kosovës si ‘Kosova i Metohija’, gjë që nuk është e pranueshme për institucionet e Kosovës, pra, tash kemi mbetur në një situatë që nuk po dihet se çka tutje”, përfundoi ai.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike dhe politikave të sigurisë, Ridvan Emini është shprehur se këto struktura gjithmonë kanë sfiduar institucionet e Kosovës.

“Strukturat paralele serbe në Kosovë e veçanarisht në veri të Kosovës gjithnjë kanë sfiduar institucionet e Kosovës e posaçërisht ato të sigurisë”, tha Emini.

Ai ka vënë në theks se në veriun e Kosovës ka pasur një vakum të madh institucional që nga paslufta gjë që ka mundësuar funksionimin e këtyre strukturave të financuara nga Serbia.

“Në veri dihet që ka pas një vakum të madh institucional të Prishtinës që nga paslufta, andaj atje këto struktura kanë qenë mirë të organizuara dhe të financuara nga Serbia dhe nga krimi i organizuar”, vazhdoi Emini.

Emini për lajmi.net është shprehur se Kosova disa herë është përpjekur në mënyra të ndryshme të shtrij autoritetin mbi ato struktura. Këto struktura sipas Eminit kanë qenë gjithnjë të përfshira në politikë, por edhe pas tentimeve të përfshihen në jetën institucionale, ato kanë mbetur pjesë e krimit.

“Kosova disa herë dhe në disa mënyra është përpjekur të shtrij autoritetin e saj atje dhe mbi ato grupe të organizuara. Strukturat paralele atje gjithnjë kanë qenë të përfshira në politikë andaj në këtë drejtim është tentuar që të përfshihen në jetën institucionale, por gjithnjë ato (strukturat paralele) kanë mbetur pjesë e krimit atje”, është shprehur Emini.

Emini gjithashtu është shprehur se Kosova nuk ka arritur t’i neutralizoj këto struktura, për më tutje, ato kanë arritur të futen edhe në institucionet e sigurisë.

“Kosova mund të themi se nuk ka arritur që të neutralizoj apo ti shpërbëj ato struktura, më e keqja ato janë futur brenda institucioneve të sigurisë me anë të individëve të caktuar në emër të zhbërjes së tyre. Një rast eklatant të funksionimit të këtyre strukturave dhe infiltrimit të tyre në Policinë e Kosovës na tregon vrasja e Oliver Ivanoviqit”, tha Emini.

Emini krejt në fund ka vënë në dukje se këto struktura paraqesin rrezik destabilizues për Kosovën në sferën politike, ekonomike e atë të sigurisë.

“Konsideroj se Kosova në mënyrë demokratike mund ta shtrin autoritetin e saj të plotë në atë pjesë të vendit në një periudhë 10-30 vjeçare. Strukturat paralele serbe atje gjithnjë paraqesin rrezikshmëri pasi që mund të shkaktojnë destabilitet politik, ekonomik dhe t’i sfidojnë organet e sigurisë në çdo moment edhe me anë të krimit të organizuar”, tha ai në fund.

Vlen të theksohet fakti që së fundmi është formuar edhe e ashtuquajtura “Federata e Futbollit e Serbisë”, në veri të Kosovës.

Komento: