
Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, është ftuar nga Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump, për të marrë pjesë në takimin inaugurues të Koalicionit Botëror të nismës Fostering the Future Together (FFT), i cili do të mbahet më 24 dhe 25 mars në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin amerikan të Shtetit.
Ky samit do të mbledhë përfaqësues të shteteve të ndryshme dhe partnerë ndërkombëtarë për të diskutuar mënyrat e avancimit të mbrojtjes dhe zhvillimit të fëmijëve në epokën digjitale. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë koalicion pritet të krijojë mundësi të reja për nxënësit dhe fëmijët në vend, duke u mundësuar atyre qasje në projekte dhe programe të avancuara të kompanive amerikane të teknologjisë.
Përmes kësaj nisme, fëmijët dhe të rinjtë do të mund të përfitojnë nga platforma moderne digjitale, përdorimi i inteligjencës artificiale dhe mjete të reja edukative që synojnë të mbështesin zhvillimin, kreativitetin dhe sigurinë e tyre në internet.
Kosova iu bashkua kësaj nisme me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, duke u rreshtuar ndër shtetet e para në botë që mbështesin këtë koalicion global. Kjo pjesëmarrje dëshmon përkushtimin e institucioneve të vendit për të garantuar mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve në një kohë kur teknologjia dhe inovacioni po zhvillohen me ritme të shpejta.