Prishtina dhe MINTI drejt Parkut Industrial Eco dhe projekteve të përbashkëta zhvillimore

16:40 | 18 Mars 2026
prishtina-dhe-minti-drejt-parkut-industrial-eco-dhe-projekteve-te-perbashketa-zhvillimore

Përparim Rama ka zhvilluar një takim me ministren e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimi i projekteve strategjike për zhvillim ekonomik.

Gjatë takimit, palët theksuan rëndësinë e bashkërendimit sa më efikas të iniciativave zhvillimore ndërmjet ministrisë dhe Prishtina, me qëllim krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investime dhe inovacion.

“Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë dhe Komunës së Prishtinës, me fokus në koordinimin sa më efikas të projekteve strategjike dhe zhvillimore”, thuhej në njoftim

Një ndër temat kryesore të diskutimit ishte projekti për krijimin e një Parku Industrial Eco, për të cilin komuna ka shprehur interes të veçantë. Sipas zyrtarëve, plani i fizibilitetit për këtë projekt tashmë është hartuar, duke hapur rrugën për fazat e mëtejshme të implementimit.

Në takim u theksua se zhvillimi i parqeve industriale të gjelbërta mbetet prioritet i institucioneve, si një mekanizëm kyç për zbatimin e politikave industriale që synojnë zhvillim të qëndrueshëm. Këto parqe pritet të funksionojnë mbi parimet e ekonomisë qarkore, efikasitetit në shfrytëzimin e hapësirës dhe krijimit të klastereve industriale.

Po ashtu, u nënvizua interesi në rritje i industrisë së filmit për shfrytëzimin e këtij parku si hapësirë për prodhim dhe zhvillim kreativ, duke e kthyer atë në një pikë të rëndësishme për sektorin kreativ në vend.

Sipas përfaqësuesve të ministrisë, standardet për parqet industriale të gjelbërta janë në fazën përfundimtare dhe përfshijnë instalimin e teknologjive për energji të ripërtëritshme, si panelet solare dhe bateritë akumuluese, në përputhje me standardet ekologjike moderne.

Palët u dakorduan se bashkëpunimi ndërinstitucional mbetet thelbësor për realizimin e projekteve me ndikim afatgjatë dhe për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe inovative në Kosovë.

Komento: