Në Prishtinë është inauguruar një shesh i ri. Bëhet fjalë për sheshin “Erhard Busek”, pranë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Në inaugurim mori pjesë edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se vendimi për emërimin e këtij sheshi u mor në unanimitet në Kuvendin Komunal.
Rama tha se emërtimi i këtij sheshi është një shenjë mirënjohjeje për angazhimin e palodhur të Erhard Busek në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Austrisë, si dhe për rolin e tij të rëndësishëm diplomatik në rajon.
“Sot, bashkë me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, inaguruam Sheshin Erhard Busek, pranë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ky vendim u miratua në unanimitet në Kuvendin Komunal, duke treguar vlerësimin e përbashkët për figurën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm.
Emërtimi i këtij sheshi është një shenjë mirënjohjeje për angazhimin e palodhur të Erhard Busek në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Austrisë, si dhe për rolin e tij të rëndësishëm diplomatik në rajon. Ai ishte një mik i madh i vendit tonë dhe një zë i fuqishëm për stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkan.
Me këtë shesh, ne jo vetëm që nderojmë trashëgiminë e tij, por edhe forcojmë lidhjet mes dy shteteve tona, duke ruajtur kujtimin e një miku të madh të Kosovës”, shkroi Rama.