Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës është duke vlerësuar performancën e drejtorëve të klinikave.
Gazeta ka mësuar nga burime se menaxhmenti i SHSKUK-së është në përgatitje e sipër të vlerësimit të performancës së drejtorëve të 37 njësive të Qendrës Klinike Universitare, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo po bëhet me kërkesë të drejtorit Dr. Basri Sejdiu, i cili pritet edhe të ndërmarr shkarkime të drejtorëve me performancë të dobët.
Gazeta ka provuar të konfirmoj lajmin edhe zyrtarisht por Sejdiu nuk ka qenë i qasshëm. Sipas burimeve shkarkimet pritet të ndodhin gjatë muajit dhjetor.
“Janë disa drejtorë me të cilët menaxhmenti nuk është i kënaqur me performancën e tyre. Shumë punë që iu janë deleguar nuk janë kryer dhe ata do të shkarkohen”, ka thënë ky burim brenda SHSKUK-së.
Kujtojmë se shumica e drejtorëve të klinikave janë përzgjedhur vitin e kaluar, ndërsa disa prej tyre e kanë marr pozitën sivjet. Mandati i tyre sipas statutit të SHSKUK-së zgjatë tre vjet.