Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani u nisën sot drejt Parisit. Me ftesë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, të dy do të marrin pjesë në Froumin e Paqes, krahas liderëve të tjerë botërorë e udhëheqësve të organizatave ndërkombëtare.
Të mërkurën, dy orë para mesnatës, kryeministri Albin Kurti njoftoi me video për udhëtimin e tij, ndërsa paralajmëroi se presidenti francez, Emmanuel Macron mund t’i ulë atë dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në tavolinë për një takim, raporton Gazeta Express.
“Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me presidentin e Serbisë, i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtë-anëtarësh nga Kryeministria. Jam i gatshëm sepse i përgatitur dhe gjithnjë i interesuar për dialog për marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”, tha Kurti.
Ai i mori me vete dy propozime, që synon t’i vë në tavolinën e bisedimeve në këtë takim.
“I kemi dy propozime në tavolinë. Ai i imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit sivjet në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që e ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne”, tha Kurti.
Shefi i Qeverisë theksoi në fund të adresimit të tij se “dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë dhe paqja e siguria në tërë territorin shkojnë bashkë”.